Poseidoni

Poseidoni, perëndi e detrave dhe një nga 12 perënditë më të mëdha të Olimpit grek. Ishte biri i Kronit, vëllai i Zeusit dhe i Hadit. Kur të tre vëllezërit ndanë botën, Poseidonit i ra mbretëria e detrave.

Ai nuk e duronte pushtetin e Zeusit dhe nuk i pranonte urdhërat e tij, madje edhe komplotoi kundër të vëllait. Për këtë Zeusi e përzuri nga Olimpi dhe e degdisi në tokë, ku ai gjeti strehë në Trojë. Atje, së bashku me Apolonin, ndërtoi për mbretin Laomedont muret e Trojës. Legjenda thotë se mbreti për këtë punë nuk iu dha atyre ç’iu kishte premtuar. I zemëruar, Poseidoni nxori nga fundi i detit një përbindësh që përhapi në tërë vendin zinë dhe vdekjen. Që të hakmerrej për fatkeqësitë e të birit Polifem, ai shkatërroi të gjitha anijet e Odiseut dhe për dhjetë vjet me radhë e ndoqi këmba-këmbës mbretin e Itakës, gjatë udhëtimit të tij në det. Midis Poseidonit dhe Atenës lindi një konflikt për të pasur zotërimin mbi qytetin e Athinës. Zeusi deklaroi se epërsinë do ta kishte ai që do t’i bënte qytetit dhuratën më të mirë. Poseidoni e goditi tokën me sfurkun e tij me tri dhëmbë dhe menjëherë doli nga toka ujë, ndërsa Atena nxori nga toka ullirin. Kështu fitoi hyjnesha, me emrin e së cilës u quajt dhe qyteti Athinë. Poseidoni ishte martuar me Amfitritën. Pallati i tyre ndodhej në fund të detit, ku ata jetonin të rrethuar nga suita e nereidave, e hipokampëve (kuaj deti) dhe të qenieve të tjera fantastike të detit. Nganjëherë ai dilte nga pallati i vet, i hipur në një qerre që tërhiqej nga kuaj me ngjyrë leshteriku, për të drejtuar lëvizjet e valëve, për të qetësuar ose për të ngritur stuhitë, duke goditur detin me sfurkun e tij, ose duke ulëritur me zërin e tij të fortë. Ka një varg mitesh që bëjnë fjalë për dashurinë e tij me Demetrën dhe me Meduzën. Kjo e fundit lindi me Poseidonin kalin Pegas. Poseidoni ishte një nga perënditë më të nderuara. Kulti i tij ishte shumë i përhapur në të gjithë Greqinë, sidomos në vendet bregdetare, ku detarët i luteshin për një udhëtim të mbarë. Në Romë Poseidonin e identifikonin me Neptunin. Atij i bënin blatime me ujë deti, lumi e burimi, dhe i thernin zakonisht një dem të bardhë. Atributet e tij ishin sfurku me tri dhëmbë, kali, demi, delfini. Për nder të Poseidonit organizoheshin lojërat istmike. Atë e paraqitnin si një burrë të fuqishëm, të ngjashëm me Zeusin, me sfurk në dorë.

Shih edhe

Përmendet te