Aloidët
Aloidët, me këtë emër janë quajtur vëllezërit binjakë, Efialti dhe Oti, bijtë e Aloidit e të Efimedisë (në disa variante janë fëmijët e Poseidonit dhe të Efimedisë). Që në fëmini ata dalloheshin për trupin e tyre të madh. Binjakët e kërcënuan Olimpin me luftë dhe deshën të vendosnin malin Osa mbi Olimpin dhe malin Pelios mbi Osën, me qëllim që të arrinin banesën e perëndive. Në fillim ata e mbyllën Aresin në një vozë bronzi, nga e cila perëndia e luftës u çlirua nga Hermesi vetëm 13 muaj më vonë. Por Aloidët nuk arritën ta zbatonin planin e tyre. I zemëruar nga mendjemadhësia e tyre, Apoloni i shpoi me shigjetat e tij. Sipas një varianti tjetër të mitit, Artemida, në trajtën e drenushës, kaloi me shpejtësi pranë tyre. Menjëherë Efialti dhe Oti hodhën shtizat, por në vend që të vrisnin drenushën vranë njëri- -tjetrin.
Aloidët u dënuan për guximin e tyre. Në Had ata i lidhën me gjarpërinj në një shtyllë, rreth së cilës një buf i mundonte veshët e tyre me britmat e tij vajtimtare.