Hadi
Hadi (Hades, ose Pluton) 1. Biri i Kronit dhe i Reas, vëllai i Zeusit dhe i Poseidonit. Pas ndarjes së botës midis tre vëllezërve, Hadi mori mbretërinë e nëntokës dhe u bë sundimtar i saj. Hadi qëndroi një kohë të gjatë vetëm në mbretërinë e tij të tmerrshme, sepse asnjë hyjneshë nuk pranonte të martohej me të. Më në fund ai rrëmbeu vajzën e Demetrës, Persefonin e bukur, e cila u bë gruaja e tij. E dëshpëruar, Demetra shkoi të kërkonte ndihmë te Zeusi. Ky i fundit vendosi që Persefoni të kthehej përsëri tek e ëma, në qoftë se ajo nuk kishte ngrënë asgjë gjatë kohës që kishte hyrë në mbretërinë e Hadit. Për fat të keq, ajo kishte ngrënë disa kokrra shegë. Pra, ajo nuk mund ta linte mbretërinë e nëntokës. Megjithatë, Zeusi urdhëroi që gjashtë muaj Persefoni të qëndronte me Hadin dhe gjashtë muaj në tokë me të ëmën. (Historia e Persefonit është ajo e kokrrës së grurit që e kalon dimrin brenda në tokë dhe që del nga toka në pranverë). Hadi ishte perëndia që urrehej më shumë, prandaj ai kishte pak tempuj. I bënin fli dema të zinj. Në Romë identifikohej me perënditë e vdekjes dhe të skëterrës, Orkun dhe Disin. Në art paraqitej si një burrë i fuqishëm; në dorën e djathtë mban një skeptër me dy maja, kurse në të majtën mban një çelës që tregonte pamundësinë për të dalë nga mbretëria e tij e nëntokës. Nganjëherë ai e mbulonte kokën
me një kaskë që e bënte të padukshëm. Te këmbët e tij qëndronte Cerberi. 2. Hadi, ferri, skëterra, mbretëria e të vdekurve. Nganjëherë te grekët quhet Tartar. Sipas përfytyrimeve të të vjetërve, Hadi ndodhej në nëntokë, ose në një ishull matanë Oqeanit, në perëndim, në një rajon që nuk ndriçohej nga rrezet e diellit. Ky ishte vendi ku shkonin dhe qëndronin shpirtrat pas vdekjes. Megjithatë, gjatë shekujve përfytyrimet mbi Hadin ndryshonin. Me lindjen e shoqërisë me klasa lindi idea mbi shpërblimin dhe ndëshkimin e shpirtrave për të mirat dhe të këqijat që kanë bërë në tokë. Dhe Hadi filloi të përfytyrohej si vendqëndrimi i të vdekurve që në tokë kishin bërë krime (shpirtrat e njerëzve të mirë vendoseshin në Fushat e Elizeut). Pesë lumenj të mallkuar dhe helmues rrethonin Hadin; lumi i shenjtë Stiksi, për ujërat e të cilit betoheshin vetë perënditë, Akreoni, Flegjetoni, Kokiti dhe Leta. Ai që pinte ujë nga lumi i fundit (nga Leta) harronte tokën dhe jetën që kishte bërë në tokë. Hyrjen për në mbretërinë e të vdekurve e ruante qeni me tre kokë Cerberi, i cili nuk lejonte që të gjallët të futeshin brenda dhe të vdekurit të dilnin që andej. Shpirtrat e të vdekurve i sillte në ferr Hermesi, përcjellësi i shpirtrave. Lundërtari i ferrit Karon i kalonte ato në lundrën e tij përmes lumit Stiks (grekët e vjetër u vinin të vdekurve në gojë një monedhë që t’ia jepnin Karonit si shpërblim për kalimin). Shpirtrat e të vdekurve vinin në Had që të vuanin për krimet që kishin bërë në tokë. Midis atyre që torturoheshin ishin Tantali, Sizifi, Danaidat dhe të gjithë armiqtë e perëndive. Mbretëria e nëntokës qeverisej nga vëllai i Zeusit, Hadi (Plutoni te latinët). Ai rrinte në një fron të artë me gruan e tij Persefonin. Këta dy hyjni ishin të rrethuar me një numër shërbyesish, midis të cilëve duhet të përmendim Erinitë, Gorgonat, Harpitë, Tanatosin (vdekja) dhe tre gjykatësit e papërkulur, Minosi, Eaku dhe Radamanti që gjykonin të vdekurit. dhe jepnin vendime të prera. Grekët e vjetër e përfytyronin mbretërinë e Hadit mbretërinë e shpirtrave të të vdekurve, të errët dhe të tmerrshme, kurse «jetën e përtej varrit» një fatkeqësi. Jo më kot hija e Akilit, të cilën e thirri Odiseu nga mbretëria e nëntokës, thotë se më mirë të jesh argati i fundit në tokë, sesa mbret në mbretërinë e Hadit. Tregimet mbi zbritjen e të vdekurve në mbretërinë e nëntokës ishin përhapur shumë në mesjetë. Përfytyrimet e të vjetërve mbi Hadin u përvetësuan pjesërisht nga krishterimi.