Hera
Hera, bija e Kronit dhe e Reas. U rrit nga Oqeani dhe Tetida dhe u martua me Zeusin, të cilin e kishte edhe vëlla. Ajo eshtë hyjnesha e martesës së ligjshme, e dashurisë bashkëshortore dhe mbrojtësja e nënave shtatzëna. Për nder të saj çdo vit organizoheshin festa, në të cilat rikujtohej martesa e saj hyjnore. Statujën e saj, të zbukuruar me një veshje, e mbanin të fejuarit e rinj, të cilët e vendosnin në një qerre që tërhiqej nga qetë dhe e çonin në tempull ku ishte përgatitur shtrati i saj martesor. Riti, që përsëriste si në një mister bashkimin e saj mistik me Zeusin, kishte për qëllim të gjallëronte forcën mbarëse të çiftit hyjnor dhe, përmes kësaj, atë të natyrës (në bashkimin e Zeusit me Herën personifikohej bashkimi i diellit me shiun, që mbarste tokën). Ajo ishte gruaja që nuk kishte njohur veçse dashurinë e ligjshme dhe këtë ajo ua kërkonte edhe atyre që ishin nën mbrojtjen e saj. Shkaku kryesor i grindjeve të saj me të shoqin ishte pabesia e tij. Kështu, për t’u hakmarrë, ajo ndoqi pa pushim fëmijët që Zeusi i pati më të vdekshmet: Evropën, Iojën, Dionisin, Herakliun, pa përmendur edhe të tjerët që qenë viktima të xhelozisë dhe të zemërimit të saj. Njëherë Hera, në marrëveshje me Atenën dhe Poseidonin, mendoi ta lidhte të shoqin prej flokësh në një unazë të ngulur në re. Megjithatë, bashkëshortët idhnakë shpesh pajtoheshin për një farë kohe. Zeusi mundi kështu të bëhej babai i katër fëmijëve të ligjshëm: Aresit, Hebës, Hefestit dhe Ilitisë. Hera ndërhynte edhe në punët e të vdekshmëve. Kështu në luftën e Trojës ajo përkrahte grekët, që të hakmerrej kundër Paridit që e kishte ofenduar se kishte pëlqyer më shumë Afërditën. Në mitët mbi Herën dhe grindjet e saj me Zeusin është pasqyruar edhe gjendja e gruas në Greqi. Ashtu si gruaja greke që ndodhej nën sundimin e burrit, ashtu edhe Hera i nënshtrohej burrit të saj, Zeusit. Asaj i kishin kushtuar shegën, qyqen, palloin, sorrën. Ajo kishte tempuj në shumë qytete të Greqisë. Në Romë gruaja e Jupiter-Zeusit quhej Junonë. Kjo e fundit nuk duhet ngatërruar me Junonat, shpirtrat e mirë. Në art Hera paraqitej si një grua e gjatë dhe e bukur, me pamje madhështore, me kurorë ose diademë.
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.