Filokteti
Filokteti, biri i Poseidonit dhe mbret legjendar i melibejve (në Tesali). Herakliu, para se të vdiste, i fali atij harkun dhe shigjetat e helmatisura, që shkaktonin plagë të pashërueshme. Si të gjithë pretenduesit, për t’u martuar me Helenën, ai u nis në luftën kundër Trojës i pajisur me shigjetat e çmueshme. Kur grekët qëndruan në ishullin e Lemnosit, atë e kafshoi një gjarpër dhe plaga nuk iu shërua. Ajo lëshonte një erë të keqe, saqë grekët të bezdisur, u detyruan ta linin Filoktetin në Lemnos. Atje ai qëndroi dhjetë vjet, duke vuajtur pa pushim nga plaga dhe nga vetmia. Në vitin e dhjetë të Luftës së Trojës grekët u paralajmëruan nga orakulli se nuk do ta pushtonin Trojën gjersa të merrnin armët e Filoktetit. Atëhere te Filokteti erdhën Odiseu dhe Diomedi. Filoktetin e sollën në Trojë dhe për të u kujdesën Podaliu dhe Makaoni, bijtë e Asklepit. Plaga e tij u mbyll. Ai mori pjesë në shumë luftime dhe vrau heroin më të dëgjuar të trojanëve, Paridin. Pas kthimit nga Troja, Filokteti, u vendos në jug të Italisë, ku themeloi disa qytete.