Meduza
Meduza, njëra nga tri Gorgonat, bija e Forkiut, që në ndryshim nga dy të tjerat ishte e vdekshme. Sipas Ovidit, Meduza në fillim ishte një vajzë që të bënte për vete, me flokë të bukur. Atë e rrëmbeu Poseidoni i shndërruar në zog, dhe u bashkua me të në tempullin e Atenës. E zemëruar për këtë përdhosje, hyjnesha i shndërroi flokët e Meduzës në gjarpërinj të lemerishëm. Sipas autorëve të tjerë, shkaku i këtij shndërrimi të çuditshëm do të ketë qenë krenaria e Meduzës, e cila e hiqte veten më të bukur se Atena. Meduzën e përfytyronin si një përbindësh, që në vend të flokëve kishte gjarpërinj, me duar bronzi dhe me krahë të artë. Ashtu si motrat e saj, ishte e pajisur me një forcë të tmerrshme: i nguroste njerëzit që ngulnin shikimin në fytyrën e saj. Meduza banonte matanë oqeanit perëndimor. Në këtë banesë të tmerrshme vajti Perseu, i cili e vrgu atë në gjumë e sipër. Kokën e Meduzës Perseu ia dhuroi Atenës, e cila zbukuroi me të mburojën e saj. Nga trupi i Meduzës lindën Krisaori dhe Pegasi.