Andromeda
Andromeda, vajza e Cefeut, mbretit të Etiopisë dhe e Kasiopesë. Nëna e Andromedës i kishte zemëruar nimfat, duke u thënë se e bija ishte më e bukur nga të gjitha ato. Atëherë nimfat e lutën Poseidonin që ta dënonte Cefeun dhe Kasiopenë. Poseidoni dërgoi një përbindësh që shëmbëllente me një peshk vigan. Ai dilte nga thellësia e detit dhe shkretonte zotërimet e Cefeut. Orakulli i Amonit iu tha se vendi do lë shpëtonte nga përbindëshi, në qoftë se do të vendosnin përpara tij Andromedën. Princeshën e re e lidhën në një shkëmb që ta shqyente përbindëshi i detit, por atë e shpëtoi Perseu, i cili pasi zbriti nga qielli, hipur mbi kalin e tij Pegas, vrau përbindëshin dhe u martua me Andromedën. Fineu, vëllai i Cefeut, të cilit i kishin premtuar Andromedën, mblodhi shokët e tij dhe e sulmoi heroin gjatë dasmës, por Perseu u tregoi atyre kokën e Gorgonës Meduzë dhe të gjithë ata u ngurosën.
Andromeda e ndoqi të shoqin në Greqi. Pas vdekjes perënditë e vendosën atë midis yj ësive (yjësia e Andromedës). Miti mbi Andromedën ka frymëzuar shumë piktorë të antikitetit dhe kohës së re.