Kroni
Kroni, titan, i biri i Uranit dhe i Gjeas. Ai qeveriste Gjithësinë përpara se të mbretëronte Zeusi. Që të merrte pushtetin, ai vrau të atin, pastaj u martua me motrën Rea. Kroni ishte i bindur se pushteti nuk do të mbetej përgjithmonë në duart e tij. Ai kishte frikë se mos kundër tij do të ngriheshin bijtë e vet dhe ai do të pësonte po atë fat që kishte pësuar i ati, Urani. Prandaj urdhëroi të shoqen, Rean, që foshnjat e porsalindura t’ia sillte aty dhe ai pa mëshirë i gëlltiste. Por Rea, kur lindi Zeusi, në vend të foshnjës i dha Kronit të gëlltiste një gur të mbështjellë në shpërgenj. Kroni nuk dyshonte që gruaja e
kishte gënjyer. Kur u rrit, Zeusi u ngrit kundër babait të vet dhe e detyroi atë të nxirrte përsëri në dritë fëmijët që kishte gëlltitur. Njeri pas tjetrit Kroni nxori nga goja pesë fëmijët — perëndi të tij: Hestian, Demetrën, Herën, Hadin dhe Persefonin. Zeusi filloi luftën me Kronin dhe titanët për pushtetin në botë. Të mundur titanët u degdisën në Tartar. Kulti i Kronit ishte i përhapur sidomos në Olimp dhe në Athinë, ku per nder të tij bëheshin festa gazmore, kronitë. Në këto festa kujtonin kohën e artë, që kishte ekzistuar në periudhën kur Kroni qeveriste gjithësinë. Kroni quhej perëndi e kohës (kronos kohë). Më vonë romakët e identifikuan atë me Saturnin, dhe legjenda u shndërrua në një mënyrë të tillë, që titani i pamëshirshëm u bë mbret i drejtë dhe i mirë i kohës së artë, kur ai qeveriste botën në paqe. Kroni paraqitej si një plak, i ngjashëm me Zeusin, me një drapër në dorë.