Odiseu
Odiseu, hero grek, ndër më të dëgjuarit e antikitetit. Biri i Laertit, mbretit të ishullit të Itakës dhe i Antiklesë. Traditat e mëvonshme thonë se Sizifi, që ishte për vizitë në ishull, do të jetë lidhur me Antiklenë, që ishte atëherë e fejuara e Laertit dhe, nga ky bashkim do të ketë lindur Odiseu. Ai u rrit në Itakë. Një herë, në gjueti, ai u plagos në gju nga një derr dhe nga ky aksident atij i mbeti një shenjë, nga e cila e njohu pas shumë vjetësh mëndesha e tij, Euriklea. Pasi u bë mbret i Itakës, Odiseu kërkoi të martohej me Helenën. Por kur vajza e re zgjodhi Menelaun, Odiseu u martua me Penelopën, me të cilën pati një djalë të vetëm, Telemakun. Kur përgatitej fushata kundër Trojës, ai u përpoq t’i bënte bisht pjesëmarrjes në të dhe për të mashtruar të tjerët, u shtir si i çmendur, por më pas ai vendosi të merrte pjesë dhe, madje u bë një nga iniciatorët më të zjarrtë të ekspeditës. Odiseu u dërgua me Menelaun në Trojë, që ta detyronte Paridin të dorëzonte Helenën. Por ky mision dështoi. Gjatë gjithë rrethimit të Trojës ai tregoi guxim dhe trimëri të madhe, duke vrarë shumë heronj trojanë. Me Diomedin ai u fut në Trojë dhe rrëmbeu Paladiumin, statujën mbrojtëse të qytetit. Njëherë tjetër ai arriti të rrëmbente kuajt e Rezit, para se të pinin ujë në Ksant (Skamandër), gjë që, sipas profecisë, do t’u kishte dhënë forca të mbinatyrshme që do t’iu siguronin fitoren trojanëve. Ai shkoi në Lemnos për të kërkuar Filoktetin që kishte armët e Herakliut, pa të cilat Troja nuk mund të merrej. Pas vdekjes së Akilit, ai mori armët e heroit. Odiseu u fut në kalin prej druri dhe ndihmoi shumë për marrjen e Trojës. Homeri na tregon në «Odise» kthimin e gjatë, plot peripeci të tij për në Itakë dhe aventurat e rreziqet që heroi duhej të përballonte. Më në fund ai hodhi çengelin në brigjet e ishullit të Itakës, pas një mungese prej njëzet vjetësh. I veshur si lypës ai u fut në pallat, të cilin e kishin zënë mëtuesit, të cilët përpiqeshin ta detyronin Penelopën të zgjidhte për burrë njerin prej tyre. Me ndihmën e Telemakut ai filloi t’i vriste ata dhe, pas kësaj Penelopa mësoi të vërtetën për Odiseun e shumëpritur. Këtu mbaron legjenda homerike. Legjenda e pastajme tregon se Odiseu shkoi në Tesproti, ku e harroi Penelopën dhe u martua me një grua tjetër. Pasi u kthye në Itakë ai u vra nga Telagoni, diali i Odiseut dhe i Circes, i cili nuk e dinte se ai që vrau ishte pikërisht babai i tij. Telagoni u martua me Penelopën, kurse Telemaku me Circen.
Odiseu është nga heronjtë më të rëndësishëm të «Iliadës» dhe «Odisesë». Poetët dhe artistët e antikitetit janë frymëzuar vazhdimisht nga heroizmat e tij. Romakët e quajtën atë Uliks.
Shih edhe
Përmendet te
- Aglaura
- Alastori
- Alkinoi
- Antiklea
- Antinoi
- Areteja
- Atena
- Autoliku
- Auzoni
- Cibela
- Cikli i Trojës
- Circia
- Deifila
- Demodoku
- Dodona
- Doloni
- Elpenori
- Eoli
- Eumeu
- Euribati
- Evipa
- Feakët
- Fushat e Elizeut
- Hadi
- Hekuba
- Hela
- Heleni
- Heliosi
- Hermiorja
- Ifigjenia
- Ili
- Iri
- Itaka
- Kaliopi
- Kironi
- Lampetia
- Latini
- Lestrigonët
- Lotofagët
- Lufta e Trojës
- Medea
- Melantiu
- Mentori
- Naupliu
- Nausika
- Nusja e ujërave
- Palamedi
- Palada
- Partenopa
- Polifemi
- Poseidoni
- Rezi
- Sinoni
- Sirenat
- Skilla
- Telegoni
- Telemi
- Tersiti
- Testori
- Zagreu