Hipoliti

Hipoliti, biri i Tezeut dhe i mbretëreshës së amazonave, Antiopës (sipas një varianti i Hipolitës). Sapo lindi, gjyshja e tij Etra e çoi në Trezenë, kurse i ati u martua pas ca kohe me Fedrën. Më vonë, kjo e fundit ndjeu për thjeshtrin e saj një dashuri të zjarrtë. Hipoliti e refuzoi këtë dashuri. Fedra, nga frika se mos ai i tregonte Tezeut për ndjenjat e saj, e akuzoi djaloshin tek i ati se gjoja kishte synuar ta përdhunonte. Tezeu e përzuri Hipolitin nga Athina dhe e urdhëroi që të mos kthehej kurrë. Pastaj mbreti iu lut Poseidonit që t’i jepte të birit një dënim shembullor. I hipur në qerren e tij, Hipoliti kalonte gjatë bregut të detit, kur menjëherë pa të dilte nga shkuma e bardhë e valëve një përbindësh. Kuajt e frikësuar e hodhën Hipolitin në det. Sipas Ovidit dhe Virgjilit, Artemida iu lut Asklepit që ta ngjallte Hipolitin dhe, që atëherë, ai jetoi në Itali. Sipas një legjende tjetër, Hipoliti u shndërrua në yjësi të karrocierit. Mitin mbi Hipolitin e kanë përdorur si subjekt të veprave të tyre Euripidi, Seneka, dhe në kohën e re Rasini etj.

Shih edhe

Përmendet te