Anteu
Anteu, vigan, biri i Poseidonit dhe i Gjeas (Tokës). Ai i detyronte të gjithë udhëtarët të luftonin me të dhe i shtypte me peshën e trupit të tij. Herakliu e shtriu përdhe tri herë, por më kot, sepse Toka, e ëma, i jepte forca të reja sa herë që ai prekte në të. Kur e kuptoi sekretin, Herakliu e ngriti lart dhe e mbyti në krahët e tij. Figura e Anteut u bë sinonim i forcës, të cilën e jep lidhja me tokën mëmë. Figura e Anteut është përdorur nga shumë artistë të kohës së vjetër e të re.