Arioni
Arioni 1. Poet, muzikant i dëgjuar nga ishulli i Lesbit (Lesbos), që ka jetuar rreth vitit 625 pe.s. në pallatin e tiranit të Korintit, Periandrit. Ai u mor shumë me ditirambin ose me himnet korale kushtuar Dionizit, që patën shumë rëndësi për zhvillimin e dramës greke. Ai krijoi korin ciklik prej 50 këngëtarësh të talentuar, që këndonin dhe vepronin, të vendosur në formën e një rrethi, në qendër të të cilit ishte altari. Sipas legjendës që na e jep Kerodoti, Arioni shkoi në Sicili të merrte pjesë në një konkurs muzikor. Ai fitoi çmim dhe i ngarkuar me dhurata hipi në anije për t’u kthyer në Korint, te miku i tij, Periandri. Detarët, të cilët e lakmuan arin e tij, vendosën ta hidhnin në det. Arioni, që i kuptoi planet. e tyre, iu lut detarëve që para se ta vrisnin, ta linin t’i binte edhe një herë lirës. Një turmë delfinësh, të joshur nga melodia melankolike e dhimbshme, u grumbulluan rreth anijes dhe kur Arioni, u hodh në det, pasi mbaroi këngën, njëri prej tyre e mbajti në kurriz dhe e çoi deri në kepin e Tanarit, prej nga heroi mundi të arrinte në Korint. Detarët u dënuan me urdhër të Periandrit. Kjo legjendë ka frymëzuar shumë poetë e piktorë. 2. Kalë i famshëm, i biri i Poseidonit.