Teogonia

Teogonia, përfytyrimi më i vjetër mbi formimin e gjithësisë dhe lindjen e perëndive; është paraqitur nga Hesiodi (poet grek nga Beotia) në veprën e tij «Teogonia» (Origjina e perëndive). Sipas Hesiodit, në fillim ekzistonte kaosi i përjetshëm, i pakufishëm dhe i errët. Ai përmbante në vetvete burimin e jetës në botë. Nga kaosi doli e gjithë bota, dolën të gjitha perënditë e pavdekshme. Nga kaosi lindi edhe hyjnesha Tokë, nga ai lindi edhe forca e madhe që gjallëronte çdo gjë, Dashuria (Erosi). Kështu fiiloi sipas teogonisë të krijohej bota. Kaosi lindi Errësirën e përjetshme, — Erebin, dhe Dritën, — Hemera. Nga Toka— Mëmë lindën Qielli, Malet dhe Deti. Në botë mbretëronte Urani— Qielli, që u martua me Tokën, me të cilën pati gjashtë djem e gjashtë vajza, titanët e fuqishëm e të frikshëm. Biri i tyre titani Oqean dhe Tetia lindën të gjithë lumenjtë dhe hyjneshat e detit, oqeanidat. Nga Astreu dhe Eoja lindën yjet. Përveç titanëve toka lindi ciklopët me një sy në ballë dhe hekatonkirët, të quajtur kështu, sepse secili prej tyre kishte njëqind duar. Urani i urrente fëmijët e tij dhe i mbylli në gjirin e hyjneshës Tokë. Por Toka i thirri fëmijët e saj titanë dhe i nxiti të ngriheshin kundër babait të tyre. Ata kishin frikë të ngrinin dorën kundër të atit. Vetëm më i vogli prej tyre, Kroni (personifikimi i kohës), e përmbysi të atin dhe i mori pushtetin. Nga gjaku i

Uranit të vrarë dolën gjigantët dhe Erinitë. Kroni nuk ishte i sigurtë se pushteti do të mbetej përgjithnjë në duart e tij. Ai kishte frikë se edhe kundër tij do të ngriheshin fëmijët dhe ai do të pësonte po atë fat që kishte pësuar babai i tij Urani, prandaj ai i gëlltiste të gjitha foshnjat që lindte gruaja e tij Rea. Kroni gëlltiti pesë fëmijë: Hestian, Demetrën, Herën, Hadin dhe Poseidonin. Por Rea arriti ta shpëtojë fëmijën e saj të fundit Zeusin. Ajo shkoi në ishullin e Kretës dhe atje, në një shpellë të thellë e fshehu foshnjën e saj dhe i dha Kronit të gëlltiste, në vend të djalit, një gur të mbështjellë me shpërgënj, të cilin Kroni, pa e kuptuar, e gëlltiti. Kur u rrit; Zeusi u ngrit kundër të atit dhe pasi e mundi, e detyroi të nxirrte fëmijët që kishte gëlltitur. Fëmijët e Kronit, me Zeusin në krye, e përmbysën babanë e tyre dhe vendosën pushtetin mbi të gjithë botën. Më i fuqishmi prej tyre, Zeusi, mori për vete qiellin, Poseidoni mori detin, kurse vëllai tjetër i Zeusit, Hadi, mori mbretërinë e nëntokës. Toka mbeti zotërim i përbashkët. Për origjinën e njerëzve, te grekët ishte i përhapur miti, sipas të cilit, njeri nga titanët, Prometeu, ngjizi me baltë njeriun e parë. Fitorja e Zeusit dhe e perëndive të tjera mbi titanët siguroi përfundimisht pushtetin e perëndive të reja, të cilat u vendosën në Olimp.

Teogonia e Hesiodit përbën burimin kryesor për kozmogonin greke dhe paraqet tri breza hyjnorë: brezin e parë (Urani dhe Gjea), brezin e dytë (titanët, me Kronin në krye) dhe brezin e tretë (perënditë olimpiane, me Zeusin në krye). Kalimi nga njëri brez tek tjetri shoqërohet me dhunë: Kroni e tredhon Uranin me drapër, Zeusi e përmbys Kronin nëpërmjet Titanomakisë, luftës dhjetëvjeçare midis titanëve dhe perëndive të reja. Pas fitores mbi titanët, Zeusi u përball edhe me gjigantët në Gjigantomaki dhe me Tifonin, përbindëshin më të tmerrshëm. Vetëm pas këtyre fitoreve u vendos rendi i përhershëm i Olimpit. Teogonia ka ndikim të thellë në filozofinë greke, veçanërisht te parasoktratikët, dhe mbetet teksti themeltar për studimin e mendimit fetar grek. → Zeusi. → Kroni. → Prometeu. → Gjigantët.

Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.

Shih edhe