Menelau
Menelau, biri i mbretit të Mikenës, Atreut, dhe vëllai i Agamemnonit. Ai së bashku me Agamemnonin dhe me kushëririn e tij, Egistin, u rrit në pallatin e mbretit. Pas vrasjes së Atreut nga nipi i vet, Egisti, dhe kur mbret në Mikenë u bë babai i vrasësit, Tiesti, të dy vëllezërit ikën në Spartë. Aty Menelau u martua me vajzën e mbretit Tindar, Helenën, dhe u bë mbret i Spartës. Menelau e priti shumë mirë Paridin. Gjatë një gostie Paridi për herë të parë pa Helenën e bukur dhe u dashurua pas saj. Me ndihmën e Afërditës, ai me fjalë të ëmbla ia mbushi mendjen Helenës që ta linte shtëpinë e burrit e të shkonte me të në Trojë. Helena u bind dhe Paridi e çoi gruan e Menelaut në Trojë. Filloi Lufta e Trojës. Vetë Menelau dërgoi në Trojë gjashtëdhjetë anije dhe një numër të madh ushtarësh. I mbrojtur nga Atena dhe Hera, ai luftoi kundër Eneut, sfidoi në dyluftim Hektorin dhe provokoi Paridin, i cili iku me vrap dhe shpëtoi nga Afërdita. Ai vetë u plagos nga Pandari, shigjetën e të cilit e drejtoi po vetë Afërdita, luftoi për trupin e Patroklit të vrarë dhe e hoqi atë nga fusha e betejës. Pas rënies së Trojës ai e mori përsëri Helenën dhe u nis për në Spartë. Një shtrëngatë e përplasi në brigjet e Egjiptit. Menelau u end gjatë tetë vjetëve nëpër detin Mesdhe. Më në fund ai arriti në Spartë me Helenën, po atë ditë kur Klitemnestra dhe Egisti u vranë nga Oresti. Në Lakoni ekzistonte kulti dhe tempulli i Menelaut. Figura e Menelaut është përdorur gjerësisht në letërsinë antike (nga Euripidi etj).
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.