Hekuba
Hekuba, bija e një mbreti të Frigjisë, gruaja e Priamit me të cilin pati shumë fëmijë: Hektorin, Paridin, Poliksenën, Kasandrën, Kreusën etj. Kur ishte shtatzënë për të lindur Paridin, pa një ëndërr të tmerrshme. Asaj iu duk se një flakë rrezikonte ta shkatërronte gjithë Trojën. Ëndrrën e saj Hekuba ia tregoi të shoqit. Ky i fundit shkoi tek orakulli, i cili i tha se Hekuba do të lindte një djalë që do të ishte shkaktari i rrënimit të Trojës. Gjatë luftës së Trojës ajo humbi të gjithë bijtë e saj dhe me sytë e vet pa të vritet Priami plak. Pas rënies së qytetit, Hekuba u bë skllavja e Odiseut. Gjatë udhëtimit për në Greqi ajo qëndroi në Trakë, te mbreti Polimnestër, të cilit ajo që përpara i kishte besuar të birin, Polidorin dhe pasuri të mëdha. Këtu kjo nënë e pafat mori vesh se mbreti i Trakës e kishte mbytur djalin dhe kishte marrë thesarët. E tronditur ajo u fut në pallat, u vërsul kundër vrasësit të pabesë dhe i nxori sytë. Ajo donte ta vriste, por e penguan shërbëtorët e mbretit, të cilët e dëbuan nga pallati dhe e ndoqën në rrugë, duke e gjuajtur me gurë. E xhindosur, Hekuba rendte pas gurëve, i kafshonte dhe u shndërrua në buçe. Ajo kërkonte të hapte gojën për t’u ankuar, por britmat e saj nuk ishin veçse lehje. Pikëllimi i Hekubës që humbi në luftën e përgjakshme pothuajse të gjithë fëmijët dhe burrin e
saj i ka tërhequr shumë poetët si Euripidin, Danten etj.