Penelopa
Penelopa, bija e Ikarit clhe e Peribejës, gruaja e mbretit të Itakës, Odiseut dhe nëna e Telemakut. Te Homeri ajo paraqitet si një grua e virtytshme dhe si mbrojtëse besnikë e shtëpisë. Në «Iliadë» Penelopa përmendet rrallë, por tek «Odisea» ajo luan një rol të rëndësishëm. Gjatë njëzet vjetëve të mungesës së Odiseut, ajo i mbeti besnike burrit, hodhi poshtë të gjitha propozimet e mëtuesve, që kërkonin t’i mbushnin mendjen, se burri i saj kishte vdekur dhe se ajo duhej të zgjidhte për burrë njërin prej tyre. Ajo u kishte premtuar pretendentëve se do të martohej vetëm atëherë, kur të mbaronte së enduri një pëlhurë, që i duhej për të mbuluar trupin e të vjehrrit të saj Laertit, kur të vdiste. Por pëlhura s’mbaronte së enduri, sepse gruaja e virtytshme prishte natën atë që kishte arritur të bënte ditën. Mirëpo gënjeshtra u zbulua nga tradhtia e një shërbëtoreje dhe mëtuesit e detyruan Penelopën që ta përfundonte punën. (→ Odiseu). Ndërkaq u kthye Odiseu i veshur si lypës, dhe me ndihmën e Telemakut i vrau mëtuesit e Penelopës. Tek «Odisea» Penelopa paraqitet si një grua besnike, që dallohet midis grave të tjera të heronjve që u nisën për në Luftën e Trojës. Por burimet e tjera të mëvonshme e paraqesin atë ndryshe. Ato shtojnë se Odiseu kur u kthye në Itakë e përzuri Penelopën, e cila shkoi në Spartë.