Ifigjenia
Ifigjenia, bija e Agamemnonit dhe e Klitemnestrës. Poemat homerike flasin vetëm për një vajzë të Agamemnonit, të quajtur Ifianazë. Që nga shekulli V para es. Ifianaza nga legjenda u zëvendësua me Ifigjeninë. Kur grekët, të nisur për në Trojë, arritën në Aulidë, u ndalën nga erërat e kundërta, të cilat i kishte dërguar Artemida. Hyjnesha ishte zemëruar, sepse Agamemnoni kishte vrarë drerin e shenjtë. Profeti Kalkant deklaroi se për të qetësuar hyjneshën, Agamemnoni duhej t’i bënte asaj fli vajzën e vet Ifigjeninë. Ifigjenia nuk ishte në Aulidë. Ajo kishte mbetur me të ëmën në Mikenë. Odiseu shkoi dhe e mori vajzën, me pretekstin se Agamemnoni do ta martonte me Akilin. Në çastin e flijimit Artemida nga mëshira e zëvëndësoi viktimën me një drenushë (krahaso mitin biblik mbi flijimin e Abraamit, ku perëndia e zëvëndësoi djalin Isak me një qengj). Ifigjenia u dërgua në Tauridë (Krime), ku u bë priftëreshë e Artemidës dhe kishte si detyrë t’i therte hyjneshës të gjithë të huajt që kapeshin në këtë vend. Midis këtyre të huajve ajo njohu një ditë të vëllanë, Orestin, me të cilin ajo iku ne Athinë. Aty ajo mbeti priftëreshë e Artemidës, derisa vdiq. Miti mbi Ifigjeninë ka frymëzuar disa poetë të antikitetit («Ifigjenia në Aulidë» e Euripidit etj).