Fushat e Elizeut
Fushat e Elizeut, pjesë e botës së përtejvarrit, ku, sipas besimit të lashtë, shkonin shpirtrat e njerëzve të drejtë. Homeri në «Odise» i vendos Fushat e Elizeut në kufirin perëndimor të tokës. Atje klima është gjithmonë e butë, pa shi, pa borë e shtrëngata. Sipas përfytyrimeve të grekëve të vjetër, në Fushat e Elizeut banojnë heronjtë dhe njerëzit e virtytshëm pas vdekjes, si psh. Menelau. Aty ata kalojnë jetën në lumturi të plotë, në harmoni e në paqe, në
mes të festave, të valleve dhe të peisazheve të mahnitshme. Hesiodi flet për Ishujt e lumtur, ku banojnë heronjtë e preferuar të Zeusit, midis tyre Akili. Në ta fushat janë plot me lule, toka pjellore jep tre prodhime në vit, s’ka sëmundje, s’ka pleqëri. Virgjili i vendos Fushat e Elizeut në qendër të botës nëntokësore. Fushat e Elizeut disa i vendosnin në fund të botës, në fillim në jugperëndim të Spanjës, pastaj në ishujt Kanarinë. Në poezi Fushat e Elizeut është sinonim i lumturisë.