Akili
Akili, biri i Tetidës dhe i Peleut, mbretit të Mirmidonëve në Ftijë të Tesalisë, më i dëgjuari nga heronjtë grekë. Sipas mitit, e ëma, që kur e lindi, e zhyti në ujërat e lumit Stiks, duke e bërë gjithë trupin e tij të paprekshëm nga shigjeta, me përjashtim të thembrës ku ajo e mbajti. Akilin e rriti centauri Kiron, i cili për ta bërë të fuqishëm e ushqeu me palcën e luanëve, e mësoi si të luftonte dhe si të shëronte plagët. Orakulli Kalkant e paralajmëroi atë se do të vdiste në muret e Trojës, ku do të shquhej për trimërinë e tij. Tetida, për të shpëtuar djalin e saj, e dërgoi Akilin në ishullin Skiros, ku ai i veshur si grua u rrit me vajzat e mbretit Likomed dhe u martua fshehurazi me njërën prej tyre, Deidaminën, me të cilën pati një djalë, të quajtur Neoptolem ose Pirro. Grekët, duke e ditur se nuk mund ta pushtonin Trojën pa pjesëmarrjen e Akilit, ngarkuan Odiseun që ta gjente e ta sillte. Mbreti dinak i Itakës shkoi në Skiros i veshur si tregtar, dhe u paraqiti zonjave të pallatit stolirat, në mes të të cilave ishte fshehur një shpatë: të gjitha zgjodhën stolirat, vetëm Akili zgjodhi armën. Me këtë ai tradhtoi veten. Odiseu e
njohu dhe e mori me vete në Trojë, ku Akili u bë tmerri i armiqve. Në vitin e dhjetë të luftës ai u grindt me Agamëmnonin, sepse ky i rrëmbeu skllaven Briseidë dhe refuzoi të merrte pjesë në të. Kjo grindje përbën pikënisjen e «Iliadës». Duke shfrytëzuar largimin e Akilit dhe të luftëtarëve të tij, trojanët korrën shumë fitore mbi grekët. Për të ndaluar sulmin e trojanëve, në fushën e betejës doli miku i Akilit. Patrokli, i pajisur me armët e heroit, por u vra nga Hektori. I tronditur për vdekjen e mikut të vet, Akili filloi përsëri luftën, i veshur me mburojën e mrekullueshme që ia kish farkëtuar Hefesti, me porosinë e Tetidës. Në dyluftim ai vrau Hektorin, trupin e të cilit e tërhoqi me qerre dhe e çoi në kampin e vet dhe, pas kësaj, varrosi me nderime të mëdha Patroklin. I prekur nga lutjet e Priamit, Akili ua dha trojanëve kufomën e Hektorit dhe, me varrimin e tij përfundon edhe Iliada. Akili u vra nga Paridi, shigjetën e të cilit Apoloni e drejtoi në të vetmin vend të paprekshëm të trupit të heroit, në thembrën e tij. Kulti i Akilit ishte i përhapur në Elidë, Spartë dhe në qytete të tjera. Akili është paraqitur gjithnjë si një burrë i bukur, i shkathët, i shpejtë («Akil këmbëshpejti) dhe i fuqishëm. Figura e Akilit dhe skenat nga jeta e tij janë pasqyruar në shumë piktura, në vazo dhe në mure të lashta. Përveç Iliadës» e «Odisesë» figura e Akilit gjendet edhe në vepra të Euripidit, Virgjilit, Ovidit.
Shprehja «thembra e Akilit» ka marrë kuptim të figurshëm dhe përdoret për të treguar një të metë a dobësi të madhe.
Shih edhe
Përmendet te
- Agamemnoni
- Agenori
- Aglaura
- Alddi
- Amazonat
- Andromaka
- Antiloku
- Atena
- Automedoni
- Briri i bollëkut
- Cikli i Trojës
- Deidamia
- Deifila
- Diomedi
- Endeida
- Etiopët
- Euforioni
- Euripili
- Feniksi
- Fushat e Elizeut
- Hadi
- Heba
- Hela
- Heroi
- Ifigjenia
- Klitemnestra
- Kriseida
- Ksanti
- Likaoni
- Lufta e Trojës
- Medea
- Memnoni
- Mirmidonët
- Neptuni
- Pasitea
- Etimologjitë pellazgjike
- Pentesilea
- Polidori
- Polikseni
- Politi
- Telefi
- Tersiti
- Testori
- Zagreu