Tersiti

Tersiti, luftëtar i thjeshtë grek që mori pjesë në Luftën e Trojës. Në mbledhjen e luftëtarëve grekë, që u thirr në Trojë nga Agamemnoni, për të njohur moralin e ushtrisë, Tersiti foli me guxim kundër prijësve. Ai urrente sidomos Odiseun, Agamemnonin dhe Akilin, të cilët, sipas tij, shqetësoheshin vetëm për një gjë: të merrnin sa më shumë nga plaçka e luftës. Ai u bëri thirrje ushtarëve që ta linin Trojën dhe të shkonin sa më shpejt në atdheun e tyre. Odiseu e ndërpreu Tersitin, duke e goditur me skeptrin e tij. Sipas tregimeve të mëvonshme Tersiti u vra nga Akili, sepse ishte tallur me dashurinë e tij për mbretëreshën e amazonave, Pentesilean, kur ajo ishte duke dhënë shpirt. Tersiti shprehte interesat e luftëtarëve të thjeshtë, të cilët donin të ktheheshin në atdhe, pasi lufta bëhej për interes të prijësve aristokratë. Në «Iliadë» Homeri tregon se kur Odiseu e goditi me skpetër Tersitin në shpinë, të gjithë qeshën. Sigurisht, qeshën dhe e lavdëruan Odiseun jo të gjithë grekët, Qeshën vetëm prijësit ushtarakë, kurse luftëtarët e thjeshtë, mendimin e të cilëve shprehte Tersiti, e simpatizonin plotësisht atë dhe e dinin se ata vetë do ta pësonin si ai, po të guxonin të thoshin mendimet e tyre. Meqë në «Iliadë» Tersiti paraqitet si llafazan e inatçi, edhe në kuptimin e figurshëm, Tersit do të thotë njeri i prapë, i keq, inatçi, etj.

Shih edhe