Medea
Medea, magjistare e miteve greke, bija e Eetit, mbretit te Kolkidës, motra e Circes dhe e Absirtit. Miti mbi Medenë lidhet me legjendën e argonautëve. Kur
këta të fundit zbarkuan në bregun e Pontit në Kolkidë, që të merrnin bashkën e artë të dashit magjik, u pritën me armiqësi nga mbreti Eet, që ishte ruajtësi i bashkës së artë. Megjithatë, ata patën përkrahjen e Medeas, bijës së mbretit, që u dashurua pas Jasonit. Duke qenë e zonja në artin e magjisë, vajza e re i dha të dashurit të saj një melhem, me të cilin ai duhej të lyente trupin që të mbrohej nga flakët e dragoit që ruante bashkën e artë. Ajo i dha gjithashtu një gur, të cilin ai e hodhi në mes të njerëzve të armatosur, të lindur nga dhëmbi i dragoit, Menjëherë luftëtarët vranë njëri-tjetrin dhe heroi mundi të shtinte në dorë bashkën e artë. Jasoni u martua me Medenë. Magjistarja iku me burrin e vet. duke marrë me vete dhe të vëllanë, Absirtin. Për të penguar ndjekjet e Eetit, ajo vrau Absirtin, e bëri copë-copë dhe gjymtyrët e trupit të tij i hodhi në det. Eeti ndaloi të mblidhte pjesët e trupit të të birit dhe kështu Medea dhë Jasoni patën mundësi të largoheshin. Kur erdhi në Jolk të Tesalisë, Medea u prit me bujë për dashurinë e saj për Jasonin. Në Jolk magjistarja përtëriti plakun Eson: ajo i hapi g'ojën plakut, nxori nga damarët e tij gjakun e vjetëruar dhe në vend të tij futi një lëng që e kishte përgatitur vetë dhe që u dha gjymtyrëve të tij forcë të re, duke e bërë 40 vjet më të ri. Peliu, vëllai i Esonit dhe uzurpues i pushtetit, nuk donte t’ia linte fronin Jasonit. Atëherë Medea ua mbushi mendjen bijave të armikut të Jasonit që ta bënin babanë e tyre copë-copë dhe ta zienin në një kazan, duke u premtuar atyre se edhe këtë ao ta ripërtërinte. Kur u bë e qartë se plaku vdiq, Jasonin dhe Medenë i dëbuan nga Jolku dhe të dy burrë e grua u vendosën në Korint, te mbreti Kreont. Medea, lindi atje dy djem: Ferin dhe Mermerin. Në Korint Jasoni u dashurua pas vajzës së bukur të Kreontit, Glaukes (sipas një varianti tjetër, pas Kreuzës), duke e tradhtuar Medenë, me ndihmën e së cilës kishte kryer heroizmin më të madh. Ai vendosi të martohej me Glaukën dhe mbreti Kreont ra dakord t’ia jepte heroit të dëgjuar vajzën për grua. E dëshpëruar, Medea vendosi të hakmerrej kundër Jasonit. Ajo i dërgoi Glaukës dhuratë një rrobe të çmueshme. Sapo e veshi këtë rrobë, helmi me të cilin ishte lyer ajo, depërtoi në trupin e Glaukës dhe ajo vdiq. Duke mos u kënaqur me aq, Medea vrau edhe fëmijët e vet, që Jasoni të vuante sa më shumë. Pas këtyre krimeve Medea iku në Athinë, ku u bë gruaja e mbretit athinas Egje, me të cilin pati një djalë, Medin. Medea sundonte në shtëpinë e mbretit të Athinës dhe vetë Egjeu në çdo gjë i nënshtrohej asaj. Kur Tezeu u kthye nga Trezëna, Medea, që të mos humbiste pushtetin, mendoi ta vriste heroin. Por plani i saj u kuptua dhe Egjeu e përzuri. Medea u vendos më në fund në Kolkidë, pranë babait të vet kurse, sipas një tradite tjetër, zbriti në Fushat e Elizeut, ku u bashkua me Akilin. Në letërsinë greke miti mbi Medenë është përpunuar nga Euripidi, kurse në letërsinë romake nga Seneka në tragjedinë me të njëjtin emër. Ky mit është përpunuar edhe në letërsinë e kohës së re.
Medonti. 1. Emër i personave të ndryshëm, midis të cilëve më i rëndësishmi ishte kasneci i mëtonjësve të Penelopës. Homeri tregon në «Odise» se Medeonti lajmëroi Penelopën për planet që kishin bërë pretenduesit e tjerë për ta vrarë Telemakun. Për këtë arsye Odiseu e fali atë kur u hakmor kundër të tjerëve. 2. Biri i Ojleut dhe vëllai i Ajaksit të Vogël. U vra në Trojë nga Eneu.