Testori
Testori, një nga argonautët. Kishte një djalë, Kalkantin, dhe dy vajza, Leukipën dhe Teononë. Këtë të fundit e rrëmbyen piratët, të cilët e shitën te mbreti i Karisë, Ikari. Këtu Teonoja u bë gruaja e mbretit. Testori u nis për ta kërkuar vajzën e vet. Shtrëngata e përplasi anijen në bregun e Karisë. Banorët e vendit e çuan atë te Ikari, i cili e bëri skllav në pallatin e vet. Këtu Teonoja nuk e njohu të atin. Pas ca kohësh Leukipa shkoi të konsultohej me orakullin e Delfit, i cili
e paralajmëroi se për të gjetur të atin dhe motrën e saj, ajo duhet t’i binte botës rreth e përqark, e veshur si djalosh. Pas shumë udhëtimesh të gjata, Leukipa arriti në Kari, te pallati i mbretit Ikar. Mbretëresha Teono, që nuk e kishte njohur aspak, u dashurua pas djaloshit dhe ia hapi zemrën atij, por kur ai refuzoi, urdhëroi skllavin që ta vriste Leukipën. Por skllavi qe Testori, i cili i njohu të dy vajzat e tij. Kur mori vesh këtë aventurë, mbreti i Karisë i dërgoi Testorin dhe dy vajzat e tij në vendin e tyre, duke i përcjellë deri në breg me nderime dhe dhurata të shumta.
Tetia, njëra nga hyjneshat e para që, sipas legjendës, i kishte dhënë jetë çdo gjëje që ekzistonte. Ishte titanidë, bija e Uranit dhe e Gjeas, motra dhe gruaja e Oqeanit, nëna e oqeanidave (nimfave të detit, numri i të cilave arrinte deri në tremijë). Tetia përfaqësonte detin Mesdhe dhe martesa e saj me Oqeanin shpreh bashkimin e dy detrave që përzjehen në ngushticën e Gjibraltarit. Në poezi Tetia është personifikim i detit. Nuk duhet të ngatërrohet Tetia me nereidën Tetidë, nënën e Akilit.
Tetida (Tetis), një nga nereidat, bija e Nereut dhe e Doridës. Zeusi e kishte kërkuar atë për grua, por kur orakulli kishte paralajmëruar se nga martesa e Zeusit me Tetidën do të lindte një djalë që do të ishte më i fuqishëm se i ati dhe do ta përmbyste atë nga pushteti, atëherë sundimtari i Olimpit hoqi dorë dhe urdhëroi që Tetida të martohej me Peleun. Tetida mundohej t’i shmangej kësaj martese, prandaj ajo merrte herë formën e luanit, herë të gjarpërit, shndërrohej në ujë, por Peleu nuk i ndahej dhe ajo më në fund u bë gruaja e tij. Dasma u bë në shpellën e centaurit Kiron. Të gjitha perënditë e Olimpit morën pjesë në këtë dasmë. Vetëm hyjnesha e grindjes, Erida, nuk qe ftuar. E ofemduar, hyjnesha hodhi midis të ftuarve një mollë të artë, (molla e sherrit), në të cilën qenë shkruar këto fjalë «më të bukurës». Nga martesa e Peleut me Tetidën lindi Akili. Profeti Kalkant kishte parathënë se djali i Tetidës do vdiste në Trojë në moshë të re. Tetida përpiqej me të gjitha forcat të ndalonte fatin e tmerrshëm të të birit të saj. Kur Akili ishte ende foshnjë, ajo e fërkonte trupin e tij me ambroz dhe e mbante atë në zjarr që ta bënte të paprekshëm. Por njëherë, natën, kur Tetida po e fuste Akilin në zjarr, Peleu u zjua dhe i tmerruar përpara kësaj pamjeje, mori shpatën që të godiste Tetidën, e cila nga frika iku në det te Nereu. Sipas një miti tjetër, Tetida e zhyti Akilin në ujërat e Stiksit dhe heroi i ardhshëm u bë i paprekshëm nga shigjeta, me përjashtim të thembrës, në të cilën e kishte mbajtur e ëma, kur e lau në ujërat e lumit të nëntokës. Kur Akili u rrit, prijësit e akejve përgatiteshin Pr fushatën kundër Trojës. Tetida, që e dinte se ç’fat e priste Akilin, e fshehu atë në ishullin e Skirosit (në detin Egje); në pallatin e mbretit Likomed,
ku ai jetoi i veshur si grua. Por profeti Kalkant ia tregoi Menelaut vendin ku ishte fshehur heroi. Për ta kërkuar atë dërguan te Likomedi Odiseun, i cili me dinakërinë e tij e njohu Akilin dhe e nisi për në Trojë. Tetida e paralajmëroi djalin që të mos vinte i pari këmbën në bregun e Trojës (sipas orakullit, i pari që do të zbriste në breg do të gjente vdekjen), i dha atij armët që i kishte farkëtuar Hefesti, por megjithatë Akili u vra.
Teukri, mbreti i parë i Trojës, me origjinë nga Kreta, por që më vonë e la Kretën dhe u vendos në Azinë e Vogël, ku u martua me vajzën e lumit Skamandër. Ai i dha emrin vendit dhe qytetit të Trojës, që u quajt në fillim Teukri. 2. Hero grek, biri i mbretit të Salaminës, Telamon, vëllai i Ajaksit të Madh. Teukri shoqëroi Ajaksin në rrethimin e Trojës dhe u dallua për trimërinë e tij. Ajaksi vrau veten nga inati se Odiseu mori armët e Akilit. Mbasi u kthye në atdhe, Teukrin e përzuri i ati, sepse nuk u hakmor për vrasjen e të vëllait dhe nuk i solli eshtrat e tij. Pas shumë udhëtimesh ai u vendos në Qipro, ku themeloi një Salaminë të re.