Sirenat

Sirenat, përbindësha me

kokë e gjoks gruaje dhe me trup e bisht zogu (rrallë me bisht peshku), me fletë ose pa fletë. Ato ishin bijat e Forkiut dhe të Cetojës (ose të Akelout dhe të Steropës). Sipas Homerit ato ishin dy, kurse sipas traditave të mëvonshme ishin tri. Sirenat personifikonin bukurinë dhe rreziqet e detit. Sipas një tradite që është shumë e përhapur, ato jetonin në një ishull midis Circes dhe Skillës. Me këngët e tyre magjepsëse dhe me premtimin për t’u treguar sekrete të mëdha, ato tërhiqnin lundërtarët, duke i nxitur të afroheshin në ishullin e tyre dhe pastaj i vritnin. Ato më kot u përpoqën të magjepsnin argonautët, kur ata kaluan pranë banesës së tyre. Orfeu mori lirën e tij dhe i mahniti aq shumë, saqë ato u bënë memece nga habia dhe i hodhën instrumentet e tyre në det. I paralajmëruar nga Circia për efektin e këngëve të tyre të bukura, Odiseu ua zuri veshët shokëve të tij me dyllë dhe urdhëroi që atë vetë ta lidhnin në direkun e anijes, në mënyrë që të mos kishte mundësi të zbriste në tokë edhe sikur të dëshironte. Këto masa nuk qenë të kota, sepse ai u magjeps aq shumë nga këngët e sirenave, saqë iu lut shokëve që ta zgjidhnin, por ata refuzuan t’i bindeshin. Të dëshpëruara, sirenat u hodhën në det dhe u shndërruan në shkëmbinj. Sipas një varianti tjetër, sirenat në fillim kanë qenë shoqe të Persefonit. Demetra i shndërroi ato në zogj që ta kërkonin më me lehtësi shoqen e tyre të rrëmbyer nga Hadi.

Shih edhe