Polikseni
Polikseni, bija e Priamit dhe e Hekubës, e dashura e Akilit, që e kishte parë atë gjatë një armëpushimi. Kur Priami erdhi te Akili për të kërkuar trupin e Hektorit, ai mori me vete edhe Poliksenin, me qëllim që të pritej nga ai me dashamirësi. Sipas një legjende, Akili e kërkoi princeshën e re për grua, por Polikseni i premtoi se do të martohej me të, në qoftë se grekët do të hiqnin rrethimin e Trojës. Duke dashur të takohej me Poliksenin, Akili shkoi në tempullin e Apolonit, që ndodhej midis qytetit dhe kampit grek, por atje u godit për vdekje nga Paridi. Në kohën e shkatërrimit të Trojës, hija e Akilit iu shfaq grekëve dhe u kërkoi atyre t’i bënin fli Poliksenin. Neoptolemi, biri Akilit, e sakrifikoi atë mbi varrin e të jatit.