Mirmidonët
Mirmidonët (gr. mirmeks- -milingonë), fis akeas në Tesalinë Jugore, që e kishte marrë emrin nga vetë mbreti Mirmidon, biri i Zeusit dhe i Eurimeduzës. Por një traditë tjetër, më e njohur dhe më e zbukuruar, jep një legjendë që tregon etimologjinë e kësaj fjale. Dikur në ishullin e Eginës mbretëronte Eaku, biri i Zeusit dhe i Eginës. Hera, që nuk i duronte pabesitë e burrit të saj, donte të vriste birin e paligjshëm të këtij të fundit. Ajo dërgoi në mbretërinë e tij (në ishuil) një murtajë, nga e cila vdiqën të gjithë banorët. Eaku, kur e pa veten mbret pa shtetas, iu lut babait të vet, Zeusit, që ta popullonte ishullin. Po atë natë ai pa në ëndërr sikur milingonat ishin shndërruar në qenie njerëzore. Të nesërmen në mëngjes i biri, Telamoni e zgjoi dhe i tregoi nga larg një ushtri të madhe që i afrohej pallatit të tij. Të gjitha milingonat e ishullit ishin shndërruar në të vërtetë në luftëtarë. Nën komandën e Peleut, birit të Eakut, mirmidonët emigruan në Tesali dhe nën udhëheqjen e Akilit luftuan me trimëri në rrethimin e Trojës. Në kuptimin e figurshëm, mirmidonë quhen njerëzit që përmbushin pa kundërshtim urdhërat që kanë marrë. Miti mbi mirmidonët është veçanërisht interesant për faktin se në të shprehet qartë mbeturina e totemizmit. Në mit tregohet se si nga milingonat rrodhi fisi i mirmidonëve. Besimi se njerëzit mund të rrjedhin nga kafshët është karakteristikë për fenë primitive.