Kalkanti

Kalkanti (Kalkas), biri i Testorit nga Mikena, një nga fallxhorët më të dëgjuar të grekëve në Trojë, që sipas miteve, ishte i zoti të përcaktonte të ardhmen me anë të fluturimit

të zogjve. Ai psh., i paralajmëroi grekët se lufta do të vazhdonte dhjetë vjet, këshilloi Agamemnonin të flijonte të bijën për të zbutur zemërimin e Artemidës, paralajmëroi se Troja nuk do të merrej pa ndihmën e Akilit e të Filoktetit që zotëronte harkun e Herakliut. Ai gjithashtu, gjeti se, shkaku i sëmundjes që u përhap në kampin grek gjatë rrethimit të Trojës, ishte zemërimi i Apolonit, të cilit akejtë i kishin fyer priftin e tij, Krisin, dhe e këshilloi Agamemnonin që t’ia kthente Kriseidën të atit. Ai më në fund i këshilloi grekët që të ndërtonin kalin e famshëm prej druri. Kur u kthye në Greqi, Kalkanti takoi një fallxhor tjetër, Mopsin, që ishte më i zoti se ai dhe, ashiu siç i kishte thënë një orakull, vdiq nga hidhërimi. Kalkanti luan një rol të rëndësishëm në poemat homerike dhe në tragjeditë e ciklit të Trojës. Ai ishte objekt kulti në shumë vende, sidomos në Apulia. Miti mbi Kalkantin është trajtuar edhe në letërsinë e kohës së re.

Shih edhe

Përmendet te