Priami
Priami, mbret legjendar i Trojës, biri i Laomedontit, që në fillim quhej Podark. Legjendat e shpjegojnë përse ai më vonë kishte marrë emrin Priam. Tregonin se Laomedonti refuzoi ta shpërblente Herakliun që i kishte shpëtuar vajzën e tij Hesionë nga përbindëshi. I zemëruar, heroi vrau Laomedontin dhe bijtë e tij, me përjashtim të Podarkut, të cilin e shpëtoi e motra Hesionë me shpërblim. Që nga kjo kohë ai mori emrin Priam (nga greqishtja «priamos» — i çliruar, i shpëtuar me shpërblim).
Priami i zuri fronin Laomedontit, rimëkëmbi Trojën, që ishte shkatërruar nga Herakliu, dhe e shtriu sundimin e tij në Frigji, Lesbos dhe në ishujt fqinjë. Pasuria e tij ishte përrallore. Ai pati 50 djem dhe shumë vajza nga disa gra. Me Hekubën, gruan e tij kryesore, bijën e mbretit të Frigjisë, pati 19 fëmijë, midis të cilëve Hektorin, mbrojtësin e Trojës; Paridin, shkaktarin e Luftës së Trojës; Deifobin; Kasandrën, profeteshën që askush nuk e besonte; Poliksenën; Laodikën; Kreusën, gruan e Eneut, etj. Gra të tjera i dhanë edhe shumë bij të tjerë, si Likaorin dhe Troilin. Të gjithë djemtë e vajzat e martuara jetonin me burrat në shtëpinë e Priamit. Në përshkrimin e shtëpisë së tij nga Homeri, na del përpara «familja e madhe» karakteristike për epokën e patriarkatit.
Në kohën e rrethimit të Trojës, Priami ishte plak dhe nuk mund të luftonte vetë, por i ndihmoi trojanët me këshillat e tij nga lartësia e murit. Ai mori pjesë në ngjarjet diplomatike, si p.sh. në betimin solemn përpara dyluftimit midis Paridit dhe Menelaut, ku ai u njoh dhe u nderua nga vetë Agamemnoni. Përpara syve të tij u vra Hektori, biri i tij më i dashur, të cilin më kot ishte munduar ta bindte që të kthehej brenda mureve të qytetit.
Njëra nga skenat më të mëdha të «Iliadës» dhe të gjithë letërsisë botërore është vizita e Priamit plak në çadrën e Akilit për të kërkuar trupin e Hektorit (Kënga XXIV). I shoqëruar dhe i mbrojtur nga perëndia Hermes, Priami kaloi natën nëpër kampin grek, hyri në çadrën e armikut dhe u gjunjëzua përpara Akilit, duke i puthur duart që kishin vrarë të birin. Ai iu lut Akilit duke i kujtuar të atin e vet, Peleun, plak si ai, që priste kthimin e të birit. I prekur thellë, Akili qau bashkë me Priamin, pranoi ta lëshonte trupin e Hektorit dhe u dha trojanëve njëmbëdhjetë ditë armëpushim për varrimin.
Në kohën e marrjes së Trojës, Priami së bashku me Hekubën u fshehën në altarin e Zeusit, duke kërkuar mbrojtjen e perëndisë. Por Neoptolemi (Pirro), biri i Akilit, vrau përpara syve të plakut djalin e tij të fundit, Politin. Priami u mundua të hakmerrej kundër Neoptolemit, por edhe plaku u vra nga dora e tij, pikërisht në altarin e shenjtë, në një akt që konsiderohej sakrilegj edhe nga vetë grekët. Vrasja e Priamit në altar u bë një temë e përsëritur në artin dhe letërsinë antike, si simbol i tmerreve të luftës dhe i shkeljes së ligjeve hyjnore.
Në «Iliadë», ku Priami na del si një plak i urtë, i butë, i mëshirshëm karshi Paridit dhe Helenës, i nderuar dhe i respektuar nga vetë grekët për mençurinë dhe sinqeritetin e tij, nuk jepet vdekja e tij. Fati i Hekubës pas rënies së Trojës ishte po aq tragjik: ajo u bë skllave, pa humbur pothuajse të gjithë fëmijët dhe burrin. Në lashtësi emri i Priamit u bë një emër i përgjithshëm, për të treguar një njeri që ka provuar të gjitha trillet e fatit, nga begatia më e madhe te humbja më e plotë. Emri Priam mori edhe kuptimin e një babai të një familjeje të madhe. Figura e tij ka frymëzuar shumë poetë dhe artistë, nga Virgjili te Dantja, si simbol i fisnikërisë njerëzore përballë fatkeqësisë së pashmangshme.
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.