Telefi

Telefi, biri i Herakliut dhe i Augës. Ende foshnjë, Telefin e lanë në mal, ku e gjetën disa barinj që ia dhanë mbretit Koritos. Kur u rrit, ai pyeti orakullin e Delfit se cilët ishin prindërit e tij. Orakulli e këshilloi që të shkonte te Teutranti, mbreti i Mizisë, i cili ishte martuar me nënën e tij, Augën. Disa vjet më vonë Telefi zuri vendin e mbretit. Meqë kishte krushqi me familjen mbretërore të Trojës, ai e kundërshtoi zbarkimin e grekëve në brigjet e Mizisë dhe, madje, vrau disa heronj, midis të cilëve Tesandrin, birin e Polinikut. Vetë u plagos në kofshë nga Akili dhe plaga nuk iu shërua. Meqë sipas këshillave të orakujve Troja do të merrej vetëm me ndihmën e Telefit, Akili shkoi e gjeti dhe ia mbylli plagën e qelbëzuar, duke ia prekur me shigjetën e vet, të lyer me ndryshk. Në shenjë mirënjohjeje, Telefi u tregoi grekëve rrugën që duhej të ndiqnin për të shkuar në Trojë. Miti ka tërhequr shumë shkrimtarë të antikitetit si Eskilin, Sofokliun, Euripidin. Shpesh Telefi paraqitej në veprat e artit në duart e Herakliut.

Shih edhe

Përmendet te