Heroi
Heroi, në mitologji quhej çdo njeri i shquar, që kishte ushtruar mbi njerëzit dhe mbi ngjarjet një ndikim të madh, duke merituar prej tyre një adhurim dhe një kult të veçantë. Poezia epike «Iliada» qe e para që krijoi idenë e heroit. Këta heronj ndryshojnë mjaft nga njerëzit edhe nga origjina e tyre. Të shumtën e herëve ata kanë lindur nga bashkimi i perëndive me të vdekshmit, dhe ndihmoheshin nga ato gjatë jetës së tyre. Te Hesiodi heroi është qenie mitike e mirëbërëse, që jetonte në ishujt e lumtur, nën drejtimin e Kronit. Me kalimin e kohës titullin e heroit ua jepnin gjithashtu njerëzve të dëgjuar, që ngriheshin në rradhët e perëndive, qoftë nga traditat poetike, qoftë edhe nëpërmjet një
dekreti formal, si Miltiadit, Leonidës, Brasidës, legjendarëve si Likurgu, filozofëve si Anaksagora etj. Heronjve u ngrinin një kult të vërtetë, sepse sipas besimeve të grëkëve, heronjtë, të bashkuar pas vdekjes në Ishujt e Lumtur ose në Fushat e Elizeut, vazhdonin të interesoheshin për fatin e njerëzve e të qyteteve. Heronjtë i quanin ndërmjetës midis perëndive e njerëzve dhe si mbrojtës të tyre, u bënin flijime dhe për ta organizonin festa. Disa heronj, si psh. Akili, ishin objekt kulti në shumë vende të Greqisë. Çdo qytet i bënte një kult publik heroit të tij eponim. Disa familje fisnike pretendonin se e kishin origjinën e tyre nga heronjtë legjendarë. Psh. Cezari quanie stërgjysh të tij Eneun dhe për pasojë edhe Afërditën, Mark Antoni-Herakliun etj. Heronjtë paraqiten në një numër shumë të madh vazosh.