Agamemnoni

Agamemnoni, sipas Homerit ishte biri i mbretit të Mikenës, Atre, dhe nipi i Pelopit. Njihet. si person historik, si një nga princat më të rëndësishëm të periudhës Mikene. Ashtu si i vëllai, Menelau, Agamemnoni u rrit së bashku me Egjistin, birin e Tiestit, në shtëpinë e Atreut. Kur ky i fundit u vra nga nipi i vet Egjisti dhe mbret në Mikenë u bë Tiesti, Agamemnoni dhe Menelau ikën në Spartë. Këtu ata krijuan një ushtri dhe arritën ta përzinin Tiestin. Agamemnoni u bë mbret i Mikenës dhe një nga mbretërit më të fuqishëm të Argosit. U martua me Klitemnestrën, vajzën e mbretit të Spartës Tindar dhe pati me të tri vajza: Ifianazën (Ifigjenia), Laodikën (Elektra), Krisotemidën dhe një djalë, Orestin. Agamemnoni u zgjodh komandant i përgjithshëm për të drejtuar fushatën e grekve (të akejve) kundër Trojës. Gjatë dy vjetëve ata ndërtuan flotën dhe mblodhën luftëtarët, të cilët u përqëndruan në Aulidë, port i Beotisë. Këtu Agamemnoni u detyrua të bënte fli vajzën e vet, Ifigjeninë, për të qetësuar zemërimin e Artemidës dhe për të pushuar bunacën që mbante flotën në port.

Agamemnoni ngjalli zemërimin e Akilit, sepse i mori robëreshën e re Briseidën, dhe bëri që heroi të mos merrte pjesë në luftë. Grindja e tij me Akilin shënon shpërthimin e veprimit

poetik tek «Iliada». Megjithëse komandanti i përgjithshëm i grekëve, Agamemnoni nuk është heroi i Iliadës dhe paraqitet në të gjitha tiparet më inferior se Akili, por më madhështor, më i fuqishëm e më me dinjitet se grekët e tjerë. Pas rënies së Trojës, ai mori nga plaçka e luftës Kasandrën, vajzën e Priamit, mbretit të Trojës. Kur u kthye në Argos ai u vra nga Klitemnestra dhe i dashuri i saj, Egjisti. Klitemnestra vrau dhe Kasandrën. Kthimi i Agamemnonit dhe fati tragjik i tij jepet në poemën tjetër të Homerit, «Odiseja».

Në vazo të pikturuara, shumë të lashta, Agamemnoni paraqitet në Trojë, duke ndarë Ajaksin me Odisenë në grindjen e tyre.

Jeta e Agamemnonit është objekt i tragjedive «Agamemnon» të Eskilit, «Ifigjenia në Aulidë» e Euripidit, «Ifigjenia» e Rasinit etj.

Shih edhe

Përmendet te