Afërdita
Afërdita, hyjneshë e dashurisë, e pllënimit dhe e bukurisë. Sipas Homerit, Afërdita ishte bija e Zeusit dhe e Dionës. Sipas një legjende më të përhapur, që e gjejmë te Hesiodi, ajo doli nga shkuma e detit, prandaj edhe mori epiteti Afërdita anadiomena, që do të thotë e dalë nga deti.
Te grekët ajo u bë hyjneshë qiellore e dashurisë, ishte martuar me Hefestin dhe pati disa fëmijë si Harmoninë, Erosin, Fobin, Anterotin, Dejmin, Eneun etj. Afërdita nderohej edhe si hyjneshë e detit dhe mbrojtëse e lundrimit. Kulti i Afërditës u soll në Greqi nga Lindja, prej Fenikasve. Sipas Homerit, ajo përkrahu trojanët dhe ndërhyri për të mbrojtur Paridin, Enean dhe trupin e Hektorit. Një nga vendet kryesore të kultit të Afërditës ishte Qyteti Pafia (i vjetri) në ishullin Qipro. Që këtej e kanë origjinën edhe epitetet Afërdita Qiprida, Afërdita Pafia, hyjnesha e Pafisë etj. Si hyjneshë e detit asaj i kishin kushtuar delfinin, kurse si hyjneshë e pllenimit, i kishin kushtuar harabelin, pëllumbin, lepurin etj. Atribut i përhershëm i hyjneshës ishte brezi i saj i çuditshëm, në të cilin fshihej sekreti i nurit të saj. Gratë që martoheshin i dhuronin Afërditës breza që i endnin vetë. Priftëreshat e Afërditës, që jetonin në tempuj (psh në Korint), i shërbenin hyjneshës, duke u dhënë për të holla. Ky zakon «rrjedh drejtpërdrejt nga martesa me grupe, nga ajo sakrificë, me të cilën gratë, duke iu dhënë të tjerëve, fitonin të drejtën e papërlyeshmërisë. Të jepej gruaja për të holla ishte në fillim një akt fetar; kjo bëhej në tempullin e perëndeshës së dashurisë dhe paratë shkonin në thesarin e tempullit» (K. Marks, F. Engels, Vepra të zgjedhura, vëll. II, Tiranë 1975, f. 235.) Në Romë ajo identifikohej me Veneçën, e cila mori karakterin legjendat dhe atributet e Afërditës. Venera fitoi një rëndësi të madhe në kultin romak. Ajo konsiderohej si mbrojtësja e dashurisë bashkëshortore Në shëkullin I para es. Cezari e quante Venerën si nënën e Eneut dhe si e tillë ishte stërgjyshja e gjinisë së Julëve (e gjinisë perandorake). Romakët i kushtuan hyjneshës muajin prill. Në artin antik atë e paraqitnin si një grua në lulëzimin e forcave dhe të bukurisë. Në lashtësi ishte e njohur sidomos statuja e Knidit, vepër e Praksitelit. Nga më të dëgjuarat është statuja e Afërditës së Milosit (Luvër). Kulti i Afërditës erdhi prej fenikasve, të cilët e kishin marrë nga Lindja.