Erida
Erida (Eris) (gr. grindje), hyjneshë e grindjes, që identifikohej me Diskordian romake. Ishte bija e Natës, nëna e Dhimbjeve, e Urisë dhe e mjerimeve të tjera. Ajo shoqëronte në luftime vëllanë e saj, Aresin. Zeusi e kishte përzënë nga Olimpi, sepse shkaktonte zënka midis perëndive. Sipas një tradite të dëgjuar, atë kishin harruar ta ftonin në martesën e Tetidës dhe të Peleut. Ajo u hakmorr, duke hedhur midis të ftuarve një mollë të artë me mbishkrimin: «më të bukurës». Nisi një sherr midis tri hyjneshave: Afërditës, Herës dhe Atenës, sepse që të tria ishin të denja për ta marrë mollën. Për të zgjidhur konfliktin, hyjneshat iu drejtuan princit. të Trojës, Paridit. I gënjyer nga Afërdita, që i premtoi se do t i jepte atij gruan më të bukur, Paridi ia dha mollën hyjneshës së dashurisë. Afërdita e ndihmoi Paridin të rrëmbente Helenën e bukur, gruan e mbretit spartan, Menelau. Ky episod shkaktoi fushatën e mbretërve grekë kundër Trojës. (→ Paridi, Afërdita.)