Pigmalioni
Pigmalioni, skulptor legjendar i Qipros, që jetonte i vetmuar, duke iu shmangur martesës, sepse donte që gjithçka t’ia kushtontë artit të vet. Njëherë ai bëri një statujë shumë të bukur prej fildishi, të një vajze me bukuri të jashtëzakonshme dhe e quajti atë Galatë. Pigmalioni me orë të tëra admironte veprën e tij dhe u dashurua me në fund pas statujës. Ai i dhuronte asaj gjerdane, vëthe, e vishte me rroba të bukura dhe ia zbukuronte kokën me kurora lulesh. Ditën e festës për nder të Afërditës, Pigmalioni i flijoi hyjneshës një mëshqerrë të bardhë, me brirë të artë. Ai drejtoi duart nga hyjnesha dhe iu lut që t’i jepte një grua po aq të bukur, si statuja e vajzës që kishte punuar ai vetë, pasi nuk guxonte t’u kërkonte perëndive që t’i jepnin jetë vetë statujës së tij. E prekur nga lutjet e Pigmalionit, Afërdita ia realizoi dëshirën. Kur artisti u kthye në shtëpi, pa se stutuja e tij kishte marrë jetë. Ajo u bë gruaja e tij. Emri Pigmalion sot përdoret për të quajtur një njeri që dashurohet pas veprës së vet. Figura e Pigmalionit ndeshet shpesh në letërsi dhe në art.
Pigmejtë, njerëz shkurtabiqë që, sipas «Iliadës», jetonin në bregun jugor të Oqeanit. Disa shkrimtarë të tjerë mendonin se ata jetonin në Etiopi, në burimet e Nilit ose në Trakë. Sipas legjendës, pigmejtë i ndërtonin sh'tëpitë e tyre me lëvozhga veze, udhëtonin me qerre që tërhiqeshin nga thëllëzat dhe e korrnin grurin me sëpata. Kur kurrilët ose zogjtë e tjerë u shpallnin luftë, ata armatoseshin gjer në dhëmbë, hipnin mbi kecat ose mbi deshët dhe shkonin t’u dilnin përpara armiqve. Ata sulmuan Herakliun, kur ai po
pushonte gjatë udhëtimit për në Etiopi. Kur u zgjua, Herakliu s’mundi ta ndalte gazin dhe, pasi i futi ata në lëkurën e luanit, i çoi të gjallë te Euristeu. Dijetarët e sotëm mendojnë se gojëdhana mbi pigmejtë është jehona e njoftimeve mbi fiset e liliputëve, që jetojnë edhe sot në Afrikën Ekuatoriale.
Për artin antik është karakteristikë krahasimi i pigmejve të vegjël me Herakliun gjigant. Në kuptimin e figurshëm, plgmej do të thotë njeri pa vlerë.