Adonisi

Adonisi (në gjuhën fenikase Adon do të thotë sundimtar), hyjni të cilin e adhuronin në Feniki, në qytetin Bibël (Gebal në gjuhën fenikase). Sipas Ovidit, ai ishte biri i Mirrës dhe i babait të Mirrës, mbretit të Qipros, Kinir. Foshnja lindi në Arabi dhe dallohej për një bukuri të rrallë. Atë e mori Afërdita dhe ia dha ta rriste Persefonit, mbretëreshës së Hadit, që u dashurua pas djaloshit të bukur. Por Afërdita, që edhe vetë ishte dashuruar pas Adonisit, iu ankua Zeusit dhe ky vendosi që Adonisi gjysmën e vitit ta kalonte në tokë me Afërditën gjysmën tjetër nën tokë me Persefonin. Dashuria e Afërditës për Adonisin ngjalli xhelozinë e perëndive të tjera, që e adhuronin atë, prandaj ato e plagosën Adonisin për vdekje, duke i dërguar një derr të egër. Afërdita, që të përjetësonte kujtimin e tij, urdhëroi që nga gjaku i Adonisit të rritej anemona, lulja e parë dhe jetëshkurtër e pranverës. Miti mbi Adonisin është një nga përfytyrimet më të përhapura në shumë besime të vjetra mbi perëndinë që vdes dhe ringjallet dhe që lidhet me vdekjen e natyrës në dimër dhe me ringjalljen e saj në pranverë. Ka origjinë fenikase ose siriane. Për nder të Adonisit në këto vende, dhe më pas edhe në vende të tjera mesdhetare, organizoheshin festa. Ato bëheshin në verë dhe vazhdonin tetë ditë. Katër ditët e para kalonin në trishtim dhe në zi për pei ëndinë e vdekur dhe katër ditët e fundit kalonin në gëzim, për të kujtuar ngjalljen e saj. Në shekullin e V. para es. kulti i Adonisit njihej në Greqi dhe që këtej kaloi në Romë. Në skulpturë Adonisi paraqitet si një djalosh me një bukuri të rrallë. Mitin mbi dashurinë e Adonisit me Afërditën shpesh e kanë përdorur piktorët e Rilindjes dhe të kohës së re (Ticiani, Veroneze, Rubensi, Ticiani etj). Shprehja «kopshtet e Adonisit» ka marrë kuptimin e një gjëje të bukur por jetëshkurtër.

Shih edhe

Përmendet te