Kadmi
Kadmi, themelues legjendar i Tebës në Beoti. Disa studiues e kanë quajtur atë si hyjni pellazgjike. Ishte biri i mbretit të Fenikisë. Agenorit, dhe vëllai i Friksit dhe i Evropës. Kur Evropa u rrëmbye nga Zeusi, Agenori urdhëroi Kadmin të shkonte për të kërkuar të motrën dhe e ndaloi të kthehej pa të. Gjatë udhëtimit ai vizitoi Rodin, Trakën, Fokidën, por nuk mësoi asgjë për fatin e motrës. Duke mos guxuar të kthehej në vendin e vet, ai u vendos në Trakë. Kur shkoi të konsultohej me orakullin e Delfit, ai mori urdhër nga ai që të ikte pas një lope që do të mbante në brinjët e saj një disk të ngjashëm me hënën dhe të themelonte një qytet në vendin ku kjo lopë do të ndalonte. Kadmi e gjeti kafshën në Fokidë dhe e ndoqi atë deri në Beoti. E lodhur, ajo u shtri më në fund në atë vend ku u ndërtua më pas qyteti i Tebës. Në shenjë falenderimi Kadmi donte ta flijonte lopën, por ai vuri re se kroi, ku ai shkoi për të marrë ujë, ruhej nga një dragua. Ai e vrau dragoin dhe mbolli dhëmbët e përbindëshit në tokë. Nga këto dhëmbë dolën disa luftëtarë gjigantë, të cilët u vranë midis tyre. Shpëtuan vetëm pesë, të cilët e ndihmuan heroin të ndërtonte qytetin. Ai mori nga Zeusi sundimin mbi tebanët dhe u martua me Harmoninë, bijën e Aresit dhe të Afërditës. Me rastin e martesës Kadmi mori nga perënditë shumë dhurata të çmueshme, midis të cilave edhe një gjerdan që u bë burim mjerimesh për ata që e zotëronin. Nga martesa e Kadmit me Harmoninë lindën Polidori, Antonoja, Inoja, Semela, Agava. Më vonë ai e la Beotinë dhe, pasi e pushtoi Ilirinë, u vendos së bashku me të shoqen aty. Djalit që lindi në këtë kohë ai ia vuri emrin Ilir. Të dy bashkëshortët pas vdekjes u shndërruan në gjarpërinj dhe u pranuan pranë perëndive në Fusnat e Elizeut. Miti mbi Kadmin e lidh themelimin e Tebës me kulturën fenikase, sepse, sipas legjendës, Kadmi kishte sjellë në Greqi prej andej një alfabet me 16 gërma, përvojën e nxjerrjes së mineraleve. etj.