Hermesi

Hermesi, një nga perënditë më të vjetra të Greqisë, biri i Zeusit dhe i Plejadës. Në fillim ishte perëndi — mbrojtës i natyrës, më vonë u bë perëndi e kopeve, mbrojtës i barinjve. Nganjëherë atë e paraqitnin me një dash në dorë. Në epokën homerike Hermesi ishte para së gjithash lajmëtari i perëndive, që përmbushte porositë e ndryshme të Zeusit, ishte gjithashtu përcjellësi i shpirtrave të të vdekurve në mbretërinë e nëntokës. Hermesi quhej si mbrojtësi i udhëtarëve. Me zhvillimin e tregtisë ai u bë perëndi mbrojtëse e tregtisë dhe, për pasojë, e njerëzve të shkathët, të gënjeshtarëve, madje dhe të vjedhësve. Përveç kësaj, Hermesi ishte perëndi e djalërisë, e atletëve dhe e garave gjimnastikore; statujat e tij viheshin në palestrat dhe në gjimnazet, institucione, në të cilat mësonin luftimin, mundjen me grusht, hedhjen e diskut, vrapimin, kërcimin etj. Me zhvillimin e jetës së polisit, Hermesi u bë perëndia e oratorëve. Pas pushtimit të shtetit persian nga Aleksandri i Maqedonisë (fundi i shekullit IV, fillimi i shek. III para es.), kur në Azi dhe Egjipt lindën shtete greke, Hermesi identifikohet me perëndinë egjiptiane të shkencës e të magjisë, Totin, dhe u bë gjithashtu perëndi e magjisë dhe e astrologjisë (dmth. i fallit me yje). Nga emri Hermes (mbrojtës i magjisë) rrjedh fjala e sotme hermetike. Romakët huajtën kultin e Hermesit dhe e adhuronin me emrin Mërkur. Me zgjerimin e tregtisë në Romë, Mërkuri mori një rëndësi të madhe. Të gjitha rrugët tregtare të Romës kishin statujat e Mërkurit. Me anë të riteve, ata besonin të siguronin përkrahjen e hyjnisë, që ishte aq e nevojshme për mbarëvajtjen e tregtisë së tyre. Hermesin e paraqitnin si një djalosh të shpejtë me fletë, sepse ai ishte lajmëtari i perëndive. Në dorën e djathtë ai mbante kaducenë, emblemën e një ambasadori të plotfuqishëm dhe të një këshilltari, në dorën e majtë mbante një qese, simbol i perëndisë që mbronte tregtarët dhe vjedhësit. Si përcjellës i shpirtrave, ai paraqitej shpesh dhe në varre. Veprat antike të artit me paraqitje të Hermesit janë të dëgjuara. Paraqitjes së Hermesit në kohën e re iu shtuan emblemat e bankave, të firmave tregtare e të shërbimit lundrues. Në poezinë e sotme fjala Hermes (Mërkur) shpesh shërben si sinonim i fjalës lajmëtar, kasnec.

Shih edhe

Përmendet te