Persefoni

Persefoni, bija e Zeusit dhe e Demetrës. Ishte hyjnesha e drithërave dhe e pllënimit. Miti flet për rrëmbimin e Persefonit nga Hadi, kur ajo po luante me nimfat në një luginë pranë malit Etna në Sicili. Që të hakmerrej Demetra e la Olimpin dhe vendosi të mos i jepte tokës prodhime. I shqëtësuar për fatin e të vdekshmëve, Zeusi dërgoi Hermesin në mbretërinë e nëntokës, që ta merrte Persefonin e t’ia sillte s’ëmës. Hadi, para se të ndahej me të, i dha gruas së vet kokrra shege, si simbol të martesës së pazgjidhshme. Kështu kthimi i

saj u bë i pamundur. Atëherë Zeusi vendosi që dy të tretat e vitit Persefoni do të jetonte me t’ëmën në tokë, kurse pjesën tjetër të vitit do ta kalonte me burrin e saj në Had. Legjenda mbi këtë hyjneshë interpretohet lehtë: Persefoni e mbyllur në mbretërinë e nëntokës simbolizon kokrrat e grurit të futura në tokë gjatë vjeshtës e dimrit. Kthimit të pranverës dhe të verës dhe daljes së filizave nga fara e hedhur ne tokë u përgjigjet kthimi i Persefonit pranë s’ëmës. Por Persefoni ishte, mbi të gjitha, gruaja e Hadit, sundimtarja e mbretërisë së nëntokës. Kulti i saj, që lidhej ngushtë me atë të Demetrës, mori karakterin e mistereve. Në Athinë Persefonin dhe Demetrën i quanin Tesmofore (që vendosnin zakonet dhe rregullat e sjelljes e të qëndrimit të njerëzve në shoqëri) dhe mendonin se ato mbronin martesën dhe marrëdhëniet familjare. Për nder të tyre organizoheshin festa-tesmoforite. Atë e paraqitnin të ashpër dhe të madhe, ndenjur mbi një fron pranë burrit të saj, me një pishtar në njërën dorë dhe me një shegë në tjetrën. Si hyjneshë e pllenimit paraqitej si një vajzë me kalli në dorë, ose duke mbledhur lule në lëndinë. Në Romë Persefonin e quanin Prozerpinë dhe e identifikonin me hyjneshën e bimësisë Liberna. Figura e Persefonit ka frymëzuar mjaft artistë e midis tyre Rembrandin dhe Rubensin.

Shih edhe

Përmendet te