Argu
Argu 1. Argus Panoptes (gr. «gjithëshikuesi»), gjigant me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë ishin gjithnjë të hapur edhe kur flinte. Hera e ngarkoi atë të ruante Iojën, të shndërruar në lopë, që ta mbronte nga Zeusi. Me urdhër të Zeusit, Hermesi e vuri Argusin në gjumë duke i rënë fyellit me melodi aq të ëmbla, saqë njëqind sytë iu mbyllën njëri pas tjetrit, pastaj e vrau. Hera, e pikëlluar për vdekjen e rojes së saj besnik, i mori sytë e tij dhe i vendosi në bishtin e palloit, zogut të saj të shenjtë, duke krijuar kështu motivin e famshëm të pendëve me «sy». 2. Argu, mjeshtri i dëgjuar që ndërtoi anijen «Argo» me ndihmën dhe udhëzimet e hyjneshës Atena, anije mbi të cilën lundruan argonautët për në Kolkidë për të marrë bashkën e artë. (→ Argonautët)
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.