Pelopi

Pelopi (Pelopsi), hero i Peloponezit, biri i mbretit të Lidisë, Tantalit. Legjenda thotë se perënditë, kur ishin duke udhëtuar në Azinë e Vogël me pamje njerëzore, qëndruan te Tantali. Ky i fundit, për të provuar a ishin në të vërtetë hyjni, theri Pelopin e porsalindur, e bëri copë-copë dhe, pasi e poqi, ua dha ta hanin. Perënditë e kuptuan krimin dhe nuk e prekën ushqimin. Vetëm Demetra e uritur hëngri një shpatull. Hermesi, i urdhëruar nga perenditë që të ngjallte Pelopin, mblodhi mbeturinat e trupit të foshnjës, i zjeu në një kusi dhe në vend të shpatullës që e hëngri Demetra, vuri një shpatull prej fildishi dhe e ringjalli. Për këtë krim Zeusi e degdisi Tantalin në Had, Pelopi iku dhe u vendos në gadishullin më jugor të Greqisë. Që nga ajo kohë kv gadishull filloi të quhet Peloponez. Aty Pelopi pa Hipodaminë e bukur, vajzën e Enomait, mbretit të Pizës (qytet në jug të Peloponezit, në luginën e lumit Alfe) dhe vendosi ta merrte

për grua. Por Enomai, që ishte paralajmëruar nga orakulli se do të vritej nga dora e dhëndrit të tij, kishte deklaruar se burri i Hipodamisë do të bëhej ai që do' të fitonte me të në garën e vrapimit me qerre. Ai që do të humbiste garën, do ta paguante me kokë. Mbreti i Pizës ishte i bindur se asnjë nuk do ta mundte atë. Trembëdhjetë pretendues kishin marrë pjesë në këtë garë, por kishin humbur dhe ishin vrarë nga Enomai. I katërmbëdhjeti ishte Pelopi. Ai u bind se vetëm me dinakëri do të arrinte ta mundte mbretin mizor, prandaj korruptoi karrocierin e Enomait, Mirtilin. Ky i fundit i prishi rrotën qerres. Gjatë rrufgës karroca u pengua dhe Enomai u vra. Pelopi e fitoi garën. Ai u kthye triumfues në Pizë, mori për grua Hipodaminë dhe zotëroi të gjithë mbretërinë e Enomait. Kur Mirtili, karrocieri i Enomait i kërkoi shpërblimin e premtuar (gjysmën e mbretërisë) Pelopi e vrau atë. Me Hipodaminë ai pati shumë fëmijë, midis të cilëve Atreun, Tiestin. Alkatojën, Krisipin etj. Në mitet mbi Pelopin ka tipare të një kohe shumë të vjetër. Kështu psh. gara e Pelopit me Enomain nuk është gjë tjetër, veçse rrëmbimi i nuses. Në lojërat olimpike vrapimin me qerre e quanin si një garë, që e kishte zanafillën te gara legjendare e Pelopit me Enomain dhe vetë Pelopi quhej themeluesi i lojërave olimpike.

Shih edhe

Përmendet te