Ioja
Ioja, bija e Inakut dhe priftëreshë e Herës në Argos. Bukuria e saj joshi zemrën e zjarrtë të Zeusit, i cili e shndërroi në mëshqerrë, që e shoqja të mos dyshonte për pabesinë e tij. Hera, që e kuptoi këtë shndërrim, i kërkoi atëherë Zeusit që t’ia kushtonte asaj këtë kafshë. Perëndia u bind. Iojën ia besuan Argusit me njëqind sy, që nuk flinte veçse me pesëdhjetë sy. Zeusi i kërkoi Hermesit që t’ia rrëmbente rojtarit Iojën, por ajo nuk e gëzoi për një kohë të gjatë lirinë e saj. Hera i vuri në krahët e saj një zekth, i cili e pickonte vazhdimisht dhe nuk e linte të qetë. Mëshqerra e rreme u end për muaj të tërë përmes gjithë Greqisë, pa u ndalur kurrë, kaloi Bosforin dhe takoi Prometeun e lidhur në malin e Kaukazit. Sipas Eskilit, Prometeu i paratha asaj një fat të mirë. Që këtej ajo arriti në Egjipt, ku mori trajtën e parë dhe lindi Epafin. Atëherë atë e identifikuan me hyjneshën Isida dhe, pas vdekjes, me hyjneshën Hënë, që përfytyrohej si një grua me brirë të artë.