Protesilau
Protesilau, mbret i njërit prej fiseve të Tesalisë. Ai u nis për në Trojë me 40 anije, pasi ishte martuar me Laodaminë, bijën e Akastit nga familja e Jasonit. Një orakull kishte paralajmëruar se luftëtari i parë që do të vinte këmbën në tokën trojane do të vritej, prandaj asnjeri nuk donte të zbriste në tokë. Protesilau u sakrifikua dhe u vra nga Hektori. Gruaja e tij Laodamia iu lut hyjnive të mbretërisë së nëntokës që t’i jepnin mundësinë të takohej për herë të fundit me burrin e saj. Hermesi e solli Protesilaun në tokë për tri orë, pastaj heroi vdiq për herë të dytë. Mbas mbarimit të afatit Laodamia dha shpirt menjëherë.