Oresti
Oresti, hero i Argosit, biri i Agamemnonit dhe i Klitemnestrës, vëllai i Elektrës dhe i Ifigjenisë. Ai ishte ende i vogël kur Agamemnoni u kthye nga Troja dhe u vra nga Egjisti dhe Klitemnestra. Ata donin të vrisnin edhe Orestin, por Elektra e dërgoi të vëllanë te mbreti i Fokidës, Strofi, i cili ishte martuar me motrën e Agamemnonit. Atje Oresti u rrit së bashku me djalin e Fokidës, Piladin dhe lidhi me të një miqësi që u bë proverbiale. Kur u rrit. Oresti u kthye në Mikenë së bashku me Piladin. Me urdhër të Apolonit, Oresti, i ndihmuar nga Elektra, mori hakun e të atit, duke vrarë Klitemnestrën dhe Egjistin. Sapo u krye
kjo vrasje, hyjneshat e hakmarrjes, Erinitë, filluan ta ndjekin Orestin këmba-këmbës deri ne Delf, pastaj deri në Athinë. Këtu hyjnesha Atena thirri Areopagun, ku Oresti fitoi pafajësinë. Interpretimin shkencor të mitit mbi Orestin e dha për herë të parë dijetari gjerman Bahofen, në librin e tij «E drejta amtare» (1861); i cili, sipas F. Engelsit, shënoi fillimin e studimit të historisë së familjes. Engelsi thotë se «Sipas kësaj pikëpamjeje Bahofeni e interpreton «Orestin» e Eskilit si paraqitje dramatike të luftës midis së drejtës amtare që po zhduket dhe së drejtës atërore që lind dhe triumfon në epokën heroike. Për hir të dashnorit të saj Egjistit, Klitemnestra vrau bashkëshortin e saj Agamemnonin, që ishte kthyer nga lufta e Trojës; por Oresti, biri i saj dhe i Agamemnonit merr hakun e t’et, duke vrarë të ëmën. Për këtë e ndjekin Erinitë (perënditë e hakmarrjes), mbrojtëset demoniake të së drejtës amtare, sipas së cilës vrasja e nënës është një krim shumë i rëndë që nuk mund të lahet kurrsesi. Por Apoloni, i cili me anën e orakullit të tij e shtyri Orestin të bëjë këtë vepër, dhe Atena, të cilën e thërrasin si gjykatëse, që të dyja këto perëndi, që përfaqësojnë këtu rendin e ri, rendin e së drejtës atërore, mbrojnë Orestin. Atena i dëgjon të dy palët. Gjithë objekti i grindjes formulohej shkurt në debatet që bëhen midis Orestit dhe Erinive. Oresti thotë se Klitemnestra bëri një krim të dyfishtë, duke vrarë bashkëshortin e saj dhe
njëkohësisht atin e tij. Pse Erinitë ndjekin Orestin dhe jo Klitemnestrën, e cila është shumë më fajtore se ai? Përgjigjja është e habitshme: «Ajo nuk kishte afëri gjaku me burrin që vrau»... dhe këtu, sipas të drejtës amtare, vrasja e nënës është një vrasje shumë e rëndë, që nuk mund të lahet kurrsesi. Por Apoloni del si mbrojtës i Orestit, Atena e vë çështjen në votim përpara anëtarëve të areopagut, të jurisë së Atenës... Atena, si kryetare, jep votën e saj në favor të Orestit dhe e nxjerr të pafajshëm E drejta atërore triumfoi mbi të drejtën amtare...» (Marks, Engels, vepra të zgjedhura, vëll II, bot. 1958 f. 163). Sipas një legjende që na e jep Euripidi, Oresti i ndjekur nga Erinitë, shkon me urdhër të Apolonit në Tauridë për të rrëmbyer statujën e shenjtë të Artemidës në një tempull, në të cilin ishte priftëreshë Ifigjenia, motra e tij. Këta dy të huaj, sipas një zakoni të vendit, duhej të vriteshin në altarin e hyjneshës, por Ifigjenia që e njohu Orestin e ndihmoi të vëllanë dhe Piladin të iknin dhe u largua edhe vetë, duke marrë me vete në Greqi statujën e Artemidës. Miti mbi Orestin ka frymëzuar shpesh artistët dhe poetët, veçanërisht piktorët e vazove antike dhe poetët tragjikë. Disa nga tragjeditë kryesore që lidhen ngushtë me figurën e këtij heroi janë «Orestia» e Eskilit, «Elektra», e Sofokliut; «Orestia», «Elektra», «itigjenia në Tauridë dhe «Andromaka» të Euripidit, «Andromaka» e Rasinit; «Ifigjenia» e Gëtes etj.