Tantali
Tantali 1. Mbret legjendar i Lidisë, biri i Zeusit, babai i Pelopës dhe i Niobës. Tantali ishte miku i perëndive të Olimpit. Ai merrte pjesë në mbledhjet e tyre dhe hante bashkë me ta. Për këtë gjë atij iu rrit mendja dhe filloi ta quante veten të barabartë me perënditë, bile edhe me Zeusin. Kur kthehej nga Olimpi, Tantali merrte me vete nektar dhe ambroz dhe ua jepte njerëzve që ti shijonin. Madje, ai u tregonte njerëzve dhe planet e vendimet e perëndive të Olimpit, duke mos i ruajtur kështu sekretet që i kishin besuar atij perënditë. Tantali e fyeu Zeusin, sepse nuk ishte kujdesur për qenin e artë që ruante tempullin kushtuar atij. Gjithashtu duke dashur të provonte se perënditë nuk njihnin gjithçka, ai theri të birin, e poqi në zjarr dhe ua serviri atyre në pallatin e tij, por ato e kuptuan dhe nuk e prekën me dorë. Krimi i Tantalit e mbushi kupën e durimit. Zeusi e degdisi atë në mbretërinë e errët të Hadit, ku i dha një dënim të tmerrshëm, të qëndronte në ujë deri në grykë dhe megjithatë të vuante nga etja, pasi uji largohej sapo ai i afronte buzët e thara. Njëkohësisht e dënoi të vuante edhe nga uria’ sepse degët me fruta që vareshin mbi të, largoheshin kur Tantali zgjaste duart që t’i këpuste. Tantalin nuk e mundonte vetëm etja dhe uria, por edhe një frikë e madhe, sepse mbi kokën e tij rrinte varur një shkëmb që mezi mbahej, i cili nga çasti në çast mund të binte dhe ta shtypte me peshën e tij.
Në mitin mbi Tantalin na habit egërsia e tij.. Ai vret të birin që të provojë nëse perënditë e Olimpit merrnin vesh gjithçka. Në këtë sjellje të egër të Tantalit duken qartë mbeturinat e asaj kohe, kur te grekët ruhej ende zakoni i flijimit të njerëzve. Figura e Tantalit ka tërhequr shumë poetë dhe piktorë (një tragjedi mbi Tantalin ka shkruar Sofokliu. 2. Biri i Tiestit, që u vra nga Agamemnoni.