Hekata
Hekata, bija e Perseut dhe e Asterisë. Ajo bënte pjesë në gjeneratën e parë të perëndive. Kur fëmijët e Kronit mbretëruan nën pushtetin suprem të Zeusit, Hekata ruajti privilegjet që kishte pasur. Në kohët e para ajo quhej hyjneshë mirëbërëse; ishte mbrojtësja e detarëve, e udhëtarëve, e gjuetarëve, e grave shtatzëna dhe e kopeve. I tillë ishte roli i saj në Delos, Athinë e në disa vende të tjera të Greqisë, ku e identifikonin me Artemidën. Pak nga pak Hekata mori një karakter të dyshimtë dhe të keq. Ajo u bë hyjneshë që sundonte mbi hijet, shpirtrat dhe mbi demonët e këqinj. Me shpirtrat e të vdekurve ajo shkonte në kryqëzimin e rrugëve dhe pranë varreve. Në kryqëzimin e rrugëve vinin figurën e Hekatës me tre trupa e tri kokë (ajo identifikohej me Semelën, Artemidën dhe Persefonin). Në Athinë për nder të Hekatës çdo muaj organizoheshin festa që quheshin hekatezi. Në këto festa njerëzit e pasur shtronin në kryqëzimin e rrugëve një drekë publike, që quhej dreka e Hekatës, e caktuar për të varfërit. Në mesjetë dhe në kohën e re Hekata quhej si mbrojtësja e shejtanëve. Sot Hekata ka shpesh edhe kuptimin poetik të Hënës.
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.