Tesmoforitë
Tesmoforitë, festa që bëheshin për nder të Demetrës Tesmofore, hyjneshës së buiqësisë, dhe të vajzës së saj Kori Tesmofore (tesmofor, që vendos zakonet e rregullat e sjelljes e të qëndrimit të njerëzve në shoqëri). Tesmoforitë organizoheshin në Athinë, Megarë, Tebë, në Arkadi e në shumë vende të tjera të Greqisë. Tesmoforitë kishin për qëllim të falenderonin Demetrën pas korrjeve të verës dhe mbjelljeve të vjeshtës. Njihen sidomos tesmoforitë e Athinës, që kremtoheshin në 9-13 të muajit pianepsion (tetor-nëntor), pjesërisht në Athinë, pjesërisht në demin e Halimuntit (ndarje territoriale e Atikës). Në festa merrnin pjesë vetëm gratë, ndërsa burrave u ndalohej rreptësisht të merrnin pjesë në to. Gjatë gjithë festës gratë duhej të agjëronin dhe të
ruanin dëlirësinë e tyre. Në ditën e parë, një procesion grash të Athinës çonte në mënyrë solemne statujat e dy hyjneshave dhe sende të shenjta në demin e Halimuntit. Këtu festa vazhdonte dy ditë, pjesëmarrësit piqnin në flakadan elbin që do t’ia dhuronin hyjneshës dhe rrinin zgjuar tërë natën. Ditën e tretë gratë ktheheshin në Athinë, ku festa vazhdonte edhe tri ditë të tjera. Dita e tretë ishte dita e zisë, gratë me vaje e britma qanin për zhdukjen e Korit. Dita e fundit quhej Kaligenia, sepse me këtë emër e thërrisnin Demetrën. Në këtë ditë shtronin gosti dhe në një atmosferë gëzimi, midis flijimeve e valleve, ato i luteshin hyjneshës që t’u jepte fëmijë të bukur. Gjatë valleve paraqiteshin skena nga miti mbi rrëmbimin e Persefonit.