Mirtili
Mirtili → Pelopi Misteret (gr. fshehtësi), rite fetare të fshehta që bëheshin në Greqi, në Romën e Vjetër dhe në vendet e Lindjes së Lashtë, për nder të një perëndie. Misteret kishin karakter magjik dhe ishin të lidhura me kultin e një perëndie të caktuar (të Demetrës, Persefonit, Dionizit etj). Në to merrnin pjesë vetëm të shuguruarit. Misteret lindën në bazë të kulteve të perëndive të vjetra, që personifikonin natyrën që vdiste dhe ngjallej. Me krijimin e shoqërisë me klasa dhe të ashpërsimit të luftës klasore, disa prej këtyre mistereve u veçuan nga feja zyrtare olimpike dhe morën karakterin e një shërbese të fshehtë. Misteret nuk përbënin kult privat (të një familjeje ose të një gjinie), por një shoqatë fetare, ku mund të merrnin pjesë shtresa të ndryshme shoqërore (me përjashtim të skllevërve). Në këto shoqata mund të hyej vetëm nëpërmjet një rishtarie që ishte një pastrim paraprak me flijime, me mundim të trupit (agjërim) etj. Rishtarët ishin të detyruar të mbanin në sekretin më të madh çdo gjë që ndodhte gjatë mistereve (lutjet, emrat e perëndive që përmendeshin gjatë shërbesës fetare etj). Misteret nuk kishin ndonjë dogmë të përpunuar në mënyrë të përpiktë. Ato përbëheshin nga shfaqje dramatike, të cilat riprodhonin mitet që lidheshin me një hyjni të caktuar. Psh. misteret eleusine paraqitnin historinë mitike të Persefonit (Korit), vajzës së hyjneshës Demetra, e cila kalonte gjashtë muaj në Had dhe gjashtë muaj në tokë, kurse bakanalet paraqitnin vuajtjet, vdekjen dhe ngjalljen e Dionizit. Shfaqjet dramatike, që zakonisht bëheshin natën, shoqëroheshin me këngë, himne, valle rituale, me muzikë etj. Përveç mistereve me karakter grek, kishte mistere të sjella nga Lindja: të Isidës, Cibelës, Mitrës, etj. Misteret lindore ishin më joshëse dhe ndikonin te rishtarët me ceremonitë e tyre madhështore, me ritet e fshehta, me rishtarinë e gjatë, me jetën asketike, dhe me të mirat morale që u premtonte hyjnia. Shumë elemente të mistereve u përvetësuan nga feja e krishtere. Përhapja e mistereve në botën e vjetër shpjegohet me shpresën për një lumturi të përjetshme pas vdekjes. Të munduar nga lufta e ashpër klasore, nga luftërat dhe rrënimi, njerëzit e thjeshtë kërkonin mbrojtje, kërkonin që nëpërmjet komunikimit me perëndinë në ekstazën fetare dhe në solemnitetin e ritit të mistereve, të gjenin qetësi nga stuhitë e jetës dhe të fitonin lumturinë në një botë tjetër, në gjirin e hyjnisë.