Orfizmi
Orfizmi, doktrinë fetare mistike që lindi në Greqinë e Vjetër, siç duket aty nga shekulli VI para e. s. Sipas gojëdhënësj themeluesi i kësaj doktrine ka qenë Orfeu. Pasuesit e Orfeut (orfikët) kanë shkruar shumë vepra mbi kozmogoninë (doktrina mbi origjinën e botës) dhe mbi teogoninë (doktrina mbi origjinën e perëndive). Por teogonia e orfikëve, në fakt, dallon nga teogonia hesiodike dhe tradicionale. Bota, sipas tyre, ka lindur nga një vezë; pjesa e sipërme e lëvozhgës u bë qielli dhe e brendshmja u bë toka, pastaj erdhën me radhë perënditë fillestare dhe më në fund Zeusi. Ky i fundit u bashkua me të bijën, Persefonin, dhe pati një djalë, Zagreun, i cili u caktua të mbretëronte në botë. Zagreu u copëtua nga armiqtë e tij, megjithatë i ati e ngjalli përsëri. Sipas doktrinës orfike, shpirti është i pavdekshëm. Ai banon në trupin e një të vdekshmi, që ka rënë në mëkat dhe që e ka njollosur veten me krimet e shumë brezave. Pas vdekjes shpirti mishërohet përsëri qoftë në një qenie tjetër njerëzore, qoftë në trupin e një kafshe, e kështu me radhë. Gjatë këtyre metamorfozave të njëpasnjëshme shpirti grumbullon përvojë të pasur, që ia jep kalimi i tij në trupa të ndryshëm, spastrohet nga trupi i fëlliqur dhe arrin kështu në banesën e përjetshme, që gjendej, sipas përfytyrimeve të disa orfikëve, në yjet. Vetëm të shuguruarit në misteret orfike, mistët, dm.th. ata që njohin formulat magjike,
mund të pretendojnë një ditë të shpëtojnë përfundimisht shpirtin e tyre, kurse mëkatarët, që nuk kanë bërë spastrimin orfik, janë të dënuar të vuajnë në Had. Anëtarët e mistereve visheshin me rroba të bardha (simbol i pastërtisë) dhe mësonin tipografinë e botës së përtejme, që shpirti të arrinte atje pa vështirësi. Më vonë në orfizëm rolin kryesor filloi ta ketë ana rituale, namatisjet e ndryshme magjike. Ai mori kështu formën e një besimi primitiv, të cilin e shfrytëzonin njerëzit e asaj kohe për t’u pasuruar. Doktrina e orfikëve mbi «pavdekshmërinë e shpirtit» dhe mbi «çlirimin e shpirtit» u përvetësua nga pitagorasit dhe pjesërisht nga Platoni, nëpërmjet të cilit kaloi te krishterimi.