Cerberi
Cerberi, përbindësh i mitologjisë greke, që sipas legjendës, ishte ngarkuar të ruante Hadin. Hesiodi e quan atë birin e Tifonit dhe Ekidnës dhe e paraqet me pesëdhjetë kokë. Në përgjithësi e paraqitnin si një qen me tri kokë, me bisht dragoi dhe me një kokë gjarpëri në kurriz. Ai qëndronte pranë portës së Hadit, i gatshëm për të gllabëruar cilindo që i dilte përpara. Edhe vetë të vdekurit duhej ta qetësonin, duke i dhënë pite me mjaltë që ua kishin vënë në varret e tyre (së bashku me monedhën për Karontin). Por Cerberi ishte i tmerrshëm, sidomos për të gjallët që përpiqeshin të hapnin me forcë portën e Hadit. Ai u tregua i egër me Tezeun, që u përpoq të rrëmbente Persefonin, por i butë me Orfeun clhe Eneun, sepse i pari e qetësoi me tingujt e lirës së tij, kurse i dyti i hodhi një pite të ëmbël, përgatitur nga Sibila. Vetëm Herakliu mundi ta lidhte dhe ta sillte në Trezenë, nga ku e dërgoi përsëri në Had. Në kuptimin e figurshëm fjala cerber do të thotë roje e egër, e tërbuar.