Piritoni
Piritoni, (Piritoos), biri i Iksionit ose i Zeusit, mbret i lapitëve. Pjesën më të madhe të bëmave të tij e kreu së bashku me Tezeun, me të cilin u bë mik i pandarë. Me Tezeun ai mori pjesë në fushatën e Kalidonit dhe në luftën me Amazonat; me të shkoi edhe në Spartë për të rrëmbyer Helenën. Ai u martua me Hipodaminë e bukur. Pas vdekjes së Hipodamisë, Tezeu dhe Piritoni zbritën në mbretërinë e nëntokës, që t’i rrëmbenin Hadit Persefonin. Por Hadi i mbajti rob dhe i dënoi, duke i vënë në torturën e rrotës. Të dy miqtë u çliruan nga Herakliu.
Sipas një varianti tjetër, vetëm Tezeu u çlirua nga Herakliu, kurse Piritoni u dënua nga Hadi që të mos e shikonte më tokën. Në pikturat e vazove antike ai paraqitet zakonisht në mbretërinë e nëntokës, i lidhur me hekura dhe i ruajtur nga hyjnesha Dikë.