Orfeu

Orfeu, person mitologjik; quhej nga grekët si poeti më i shquar, që jetoi para Homerit. Ka shumë mundësi që ai të ketë ekzistuar si autor ose bard i shumë himneve fetare të vjetra. Orfeu nuk përmendet as në poemat homerike, as në ato të Hesiodit, por Pindari e quan atë si babain e këngës. Ka shumë legjenda për të. Njëra thotë se ai ishte i biri i mbretit të Trakës, Eagrit, dhe i muzës Kalipso. Ai mori nga Apoloni si dhuratë një lirë me shtatë tela, së

cilës i shtoi dy tela të tjere për kujtim të nëntë muzave, që ishin motrat e nënës së tij. Legjenda thotë se kënga e tij e ëmbël, e shoqëruar me lirë, qetësonte kafshët më të egra, detyronte pemët të përkulnin degët dhe gurët të lëviznin. Ai mori pjesë në shumë ekspedita të argonautëve. Me zërin e tij të bukur ai arriti të qetësonte dallgët e forta e të vinte në gjumë dragoin e Kolkidës. Pasi u kthye nga ekspedita e argonautëve, ai u vendos në Trakë dhe u martua me nimfën Euridika. Një ditë gruan e re, duke vrapuar për të shpëtuar nga ndjekjet e bariut Ariste, e pickoi një gjarpër dhe vdiq menjëherë. Me lejen e Zeusit, Orfeu zbriti në mbretërinë e nëntokës që të merrte të shoqen. Këtu me këngën e tij ai zbuti qenin Cerber, mallëngjeu Hadin dhe Persefonin. Ata pranuan që ai ta merrte gruan, por me kusht që të mos kthente kokën ta shikonte, para se të arrinte në tokë. Sipas legjendës, kur ishte duke arritur në tokë, ai nuk mundi të duronte pa e parë gruan e vet, ktheu kokën nga ajo dhe kjo gjë bëri që ta humbte atë përgjithmonë. Pas kësaj Orfeu, duke dashur t’i qëndrojë besnik gruas së tij të vdekur, i përbuzte gratë e vendit të tij, të cilat të zemëruara nga kjo gjë e bënë copë-copë. Koka e tij, e hedhur në Ebro, gjithnjë duke kënduar, qëndronte mbi valë, derisa arriti në ishullin e Lemnosit, ku lindi një orakull. Miti mbi Orfeun ka frymëzuar shumë dramaturgë e poetë të antikitetit e të kohës së re. Në gjuhën e sotme Orfeu

është bërë sinonim i muzikantit e i këngëtarit të mrekullueshëm.

Shih edhe

Përmendet te